Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk i ka përmendur si shkelje ligjore 60 kontrata punësimi “Marrëveshje për Shërbime të Veçanta”, të cilat dje u shkëputën me arsyetimin se ishin kundër ligjit. Madje Ministri i MBPZHR-së, Besian Mustafa e prezantoi si ‘trashëgimi të shkeljeve ligjore’, por Reporteri ka siguruar kontrata të njëjta punësimi të nënshkruara në kohën e tij dhe madje dokumente që tregojnë se ai vetë kërkoi listën e tyre.
Besian Mustafa, Ministër i MBPZHR-së trumbetoi dje fort një vendim të Ministrisë së tij për t’i larguar nga puna 60 persona që ishin aty me kontrata ‘Marrëveshje për Shërbime të Veçanta”. I cilësoi ato 60 kontrata si shkelje ligjore, gjendje që ai thoshte se e ka trashëguar.
“Kam trashëguar një ministri përplot shkelje ligjore, duke përfshirë mbi 60 njerëz që kanë qenë të angazhuar me kontrata afatshkurta antiligjore, nën premtimet e rrejshme se jashtëligjshëm do të “rehatohen”. Sot, u njoftova nga u.d. sekretari i Ministrisë dhe u.d. kryeshefi i Agjencisë së Bujqësisë se këto kontrata, në mungesë të bazës ligjore dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore për vitin 2020, janë ndërprerë. Për pozitat e domosdoshme në Ministri, të aprovuara ligjërisht dhe me buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, do të hapen konkurse ligjore që ndjekin procedurat e rregullta ligjore. Ftojmë profesionistët që të aplikojnë për këto pozita të rregullta me kontrata ligjore afatgjata”, ka shkruar ai.
Por sot, asnjë falje se ato ishin shkelje nuk e ka thënë Ministria e Bujqësisë në një përgjigje kthyer Reporterit, në disa pyetje që kishin të bëjnë me këto kontrata. Për më tepër nuk janë përgjigjur edhe në pyetjet tona nëse do të merren masa ndaj atyre që nënshkruan kontratat e tilla, edhe në kohën e ministrit Mustafa.
Reporteri.net ka raportuar dje se kontratat e njëjta ishin vazhduar edhe në muajin Mars, kur ai kishte ardhur si Ministër.
Për këtë Reporteri.net ka siguruar dy kontrata të tilla të vazhduara në muajin Mars, nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Agjencisë për Zhvillim e Bujqësisë, Agim Nuha.
Ndërkaq tjetra nga Ish – Ushtruesja e Detyrës së Sekretarit, Fllanza Balaj. Një nga to është nënshkruar në muajin Mars, më saktë më datë 9 dhe thuhej se zgjatnin deri më 9 Maj 2020.Tjetra kontratë është nënshkruar në me datë 4 Mars 2020 dhe vlente deri në muajin Maj.
Besian Mustafa është emëruar Ministër në javën e parë të muajit shkurt. Reporteri.net mëson se Ministri Mustafa e dinte në muajin shkurt për këto kontrata.
Madje, me datë 25 Shkurt, kabinetit të tij i ishte dërguar një listë me emrat e këtyre punëtorëve nga administrata. E-maili përmban listën e punëtorëve me kontrata të tilla, dhe nga Menaxherja e Personelit, Fetije Maksutaj i dërgohet asistentes së Ministrit, Liriona Morina.
“E nderuara Liriona, Ju dërgoj të dhënat e kërkuara”, shkruan në email që e ka parë Reporteri. Në të, në attachment gjendej lista e punëtorëve me këto kontrata. Disa nga ta, në atë listë figuron se janë larguar tash në Maj, ani pse kontratat iu kryheshin në Mars. Por, ato ishin vazhduar edhe për dy muaj, Marsin dhe Prillin.
Për të gjitha këto, Ministria ka heshtur. Reporteri.net ka pyetur se: “Pse keni lejuar qe të nënshkruhen sërish kontrata të tilla? Në muajin shkurt ju kabineti keni marrë një listë të punëtorëve me kontrata të tilla, pse nuk keni rekomanduar ndalim të kontratave qysh atëherë? A mund të na thoni a ka të punësuar me kontrata të tilla ende në Ministri? Nëse thoni se nuk ka bazë ligjore, a do të ketë masa ndaj atyre që kanë nënshkruar këto kontrata? Pse është dashtë që pas 3 muajsh të evidentohet shkelja?”.
Nga Ministria kanë dhënë një përgjigje të përgjithshme mbi të gjitha këto pyetje, duke mos i cilësuar më këto kontrata si shkelje ligjore. Për më tepër i përmendin se kontratat e tilla bazoheshin në Ligj. Ka arsyetuar lejimin e disa kontratave me faktin se iu duhej staf për të realizuar pagesat për fermerët.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), pas kërkesës së paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për hapjen e konkurseve në bazë të procedurave të rregullta për pozitat e domosdoshme në MBPZhR, ka marrë vendim për mosvazhdimin e kontratave për 60 persona, të cilët kanë qenë të angazhuar përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, (MSHV), bazuar edhe në Ligjin Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores Nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil. Për të gjitha pozitat e domosdoshme, do të hapen konkurse publike, në bazë të procedurave të rregullta me ligj.
Ndërkaq, duke pasur parasysh se buxheti i këtij viti është miratuar me vonesë nga Kuvendi i Kosovës, kjo gjë ka ndikuar në grumbullimin e shumë lëndëve të papaguara për fermerët përfitues në programet mbështetëse të vitit të kaluar. E me miratimin e buxhetit, janë hapur rrugët që të gjithë të angazhuarit me punë në MBPZhR, si në vlerësimin e lëndëve ashtu edhe në procedurat tjera përcjellëse, të procedojnë këto lëndë të kompletuara për ekzekutimin e pagesave për fermerët. Duke pasur parasysh edhe situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, MBPZhR-ja, për të siguruar që asnjë fermer përfitues të mos dëmtohet për shkak të vonesave në pagesë dhe në vlerësimin e lëndëve të tyre, nuk ka ndërmarrë veprime për mosvazhdimin e kontratave të personave të angazhuar përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta deri në fund të muajit prill, duke u mbështetur edhe tanimë në procedurën e rregullt ligjore të rekrutimit për pozitat e rregullta me kontrata afatgjata për shërbyesit civil”, është përgjigja e Ministrisë.
Nëse qëndrimi i Ministrit është ende i njëjtë edhe sot, pra si i cilësoi dje këto kontrata, atëherë me pagesat e fermerëve qenkan marrë punëtorë me kontrata të jashtëligjshme.
Kontratat e tilla ka një kohë që aplikohen nëpër ministritë kosovare. Kjo është parë gjithmonë si një mundësi punësimi për militantët partiakë. Palët, ndonëse kanë akuzuar njëra-tjetrën për gjëra të tillë, kanë bërë po të njëjta gjëra. /Reporteri