×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet ta dorëzojë mocion për rrëzimin e pikave të aktakuzës

    Reporteri
    30 Maj 2025 | 9:23

    Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, më 2 qershor pritet ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës.

    Pas mbrojtjes, prokuroria ka një muaj kohë që t’i përgjigjet këtij mocioni, ka raportuar mbrëmë transmetuesi publik i Kosovës.

    Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë qe katër vjet. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Më 1 prill në Hagë u mbyll faza e prezantimit të dëshmitarëve të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Procesi gjyqësor, i cili filloi në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë këtë vit. Ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

    Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!