Në seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka hedhur poshtë akuzat për të cilat akuzohet ish-zëdhënësi i UÇK-së.
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ndër të tjera ka thënë se Krasniqi përkundur se edhe më parë kishte bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, në moshën 70 vjeçare u arrestua nuk iu dha mundësia për një paraqitje dinjitoze, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Mbrojtja ka thënë se Prokuroria e keqkupton dhe keqpërfaqëson rolin që Jakup Krasniqi kishte gjatë luftës.
Ajo thotë se klienti i saj, ka pasur rol të zëdhënësit të UÇK-së dhe nga ky rol, zëdhënësi s’ka përfshirje në çështje opreacionale ushtarake.
“Krasniqi nuk është është arrestuar kurrë për ndonjë krim. Në moshën 70 vjeçare pavarësisht bashkëpunimit të tij me drejtësinë ndërkombëtare nuk iu dha mundësia për një paraqitje dinjitoze.
Gabimi i parë i Prokurorisë është që Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keqpërfaqëson rolin personal të zotit Krasniqi.
Ne të gjithë e dimë shumë mirë punën e zëdhënësit.
Zëdhënësi nuk përfshihet në çështje operacionale ushtarake, roli i tij është komunikimi me publikun. Ky është pikërisht roli që ka luajtur zoti Krasniqi.
Nuk mund të nxirret si përfundim se nga pozita e tij si zëdhënës, zoti Krasniqi ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat mbi të cilat prokuroria vendos kaq shumë peshë.
Komunikata e parë është nxjerrë më 1994, shumë kohë para se Krasniqi të bëhej zëdhënës. Ato vazhduan gjatë gjithë luftës dhe është e qartë se nuk kanë dalë nga një burim i vetëm. Disa nxirreshin nga zonat operative”, u shpreh avokatja. /Reporteri.net/