×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbrojtja e zyrtarit të arrestuar për 2 milionëshin: Labinot Gruda ishte vet i 13-ti në zyrë

    Reporteri
    22 Tetor 2020 | 13:23

    Avokati i Labinot Grudës, i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për skandalin e vjedhjes së Thesarit të Shtetit ka thënë se sot është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij.


    Veton Rrecaj ka thënë se i mbrojturi i tij është i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por se ndaj tij Prokuroria nuk ka arritur të paraqesë asnjë fakt për të mbështetur kërkesën e masës së paraburgimit, shkruan Reporteri.net.

    Rrecaj ka thënë se akuzat për Grudën, i cili dyshohet për një transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit, nuk janë të sakta. Sipas tij, deklaratat e ministres Hykmete Bajrami se paratë janë të sigurta bien në kundërshtim të plotë me kërkesën e Prokurorisë, e cila pretendon se paratë janë tërhequr.

    “Është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin tim. Ai është vetëm i dyshuar, jo i akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoriteti zyrtar. Prokuroria i paraqiti arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë fakt që do ta argumentonte një masë të tillë. I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi 2 milion euro nga vendi i tij i punës, e që nuk është e saktë. Ju e e keni parë edhe ministren që ka thënë se mjetet që pretendon prokuroria janë të sigurta. Deklarata e të njëjtës është në kundërshtim të plotë me caktimin e masës së paraburgimit. Jemi ende duke e pritë vendimin. Ne si mbrojtje kemi propozuar ta pyes edhe ministren se ku janë ato mjete kur e di se janë të sigurta. Ajo duhet të japë sqarime sepse në pretendimet e prokurorisë thuhet se ato mjete janë tërhequr”, u shpreh ai.

    Tutje në një deklaratë tjetër për mediumin Koha, Rrecaj ka thënë se klienti i tij punonte vet i 13-ti në zyrë.

    “Me rëndësi prokuroria është duke hetuar rastin. Prokuroria duhet të hetojë edhe persona tjerë. Të shikoj prokuroria edhe provat shfajësuese jo vetëm fajësuese. Argumenti kryesor është se i mbrojturi nuk ka punuar në atë zyre vetëm, ka punuar vet i 13-ti. Nuk mund të thotë se vetëm ky ka përdorur ose ka keqpërdorur një kompjuter të caktuar për transaksion të pretenduar. Janë 13 persona. Prokuroria duhet ta analizojë e hetojë saktë se cili person ka bërë këtë vendim”, u shpreh Rrecaj.

    Ndryshe, Reporteri.net qysh gjatë ditës së djeshme raportoi se i arrestuari për ‘avullimin’ e 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda, është anëtar i Partisë Demokratike të të Kosovës. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!