×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbyllja e tregut me Serbinë, hapi dyert e importit nga vendet tjera

    Reporteri
    01 Shtator 2019 | 13:48

    Importi i mallrave ka shënuar rritje pas vendosjes së taksës 100% për mallrat serbe dhe atyre të Bosnjës. Kështu thonë shifrat e prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.


    Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, duke folur për tregtinë e jashtme, deklaron se importi i mallrave është rritur në periudhën e fundit derisa shton rritje ka pasur edhe tek çmimet e disa produkteve të konsumit.

    Ai thotë se ka rënie të jashtëzakonshme të importit nga Serbia derisa thekson se mallrat serbe janë zëvendësuar me produkte nga vendet tjera.

    “Rënia e importit nga shteti fqinjë verior është jashtëzakonisht i madh. Pra, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të importit, por importi i mallrave të caktuara është zëvendësuar me import nga vendet tjera. Në kuptimin e importit si total mujor, apo në këtë periudhën prej momentit të vendosjes së taksës 100 për qind, është rritë importi, por rritja është jo te fqinji verior, por tek vendet tjera që kanë ndërmjetësuar mallrat të cilat dikur janë importuar nga ai(Serbia) vend”, deklaron ai.

    Krasniqi thotë se në periudhën e fundit ka edhe një ngritje të çmimeve të disa produkteve të konsumit të përditshëm, për qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Ndërsa, për GDP-në, ai deklaron se ka një rritje krahasuar me vendet e rajonit, që është pak mbi 4 për qind në dy vitet e fundit, sipas të cilit është e qëndrueshme.

    “Për vitin 2017, kemi një përqindje prej pak mbi 4 për qind, por edhe në publikimin e fundit, që e kemi publikuar për tremujorin e parë të vitit 2019, është aty (pak mbi 4 për qind). Pra, kemi një rritje të qëndrueshme të GDP-së, ndërsa, është aspekt tjetër se si shfrytëzohen ga institucionet vendimmarrëse këto të dhëna, që me politika zhvillimore të shndërrohen këto shifra të rritjes ekonomike edhe në aspektin e rritjes së vendeve të punës, në zhvillimet e sektorëve të tjerë si dhe shumë fusha të tjera”, thotë Krasniqi.

    Për shkallën e papunësisë, kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi, thotë se ka një rënie të papunësisë nga 30.1 për qind në 26.9 për qind.

    Sipas tij, për tre mujorin e parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë në Republikën e Kosovës është 26.9 për qind.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!