×
  • Lajme
  • Lajme

    Më 19 korrik takimi i radhës Kurti-Vuçiq

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 13:12

    Takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.


    Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

    Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

    Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

    Javën e kaluar në Bruksel janë takuar zëvëndëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    As në këtë takim nuk është arritur ndonjë përparim.

    Pala serbe insiston që Kosova të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa pala e Kosovës vlerëson se përgjatë dialogut janë nënshkruar një mori marrëveshjesh që nuk respektohen plotësisht nga Serbia, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, kontrollet kufitare, dhe çështje tjera.

    Dialogu mes dy vendeve ka nisur më 2011 në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!