×
  • Lajme
  • Lajme / Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

    Më 21 prill votohet për largimin e kryetarëve në veri

    Reporteri
    08 Mars 2024 | 14:06
    Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, përcjell Reporteri.net.

    Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

    Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

    Në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    Në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe komuna e Zveçanit, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz.

    Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!