×
  • Lajme
  • Lajme

    Më 25 janar do të mbahet mbledhja e qeverive Kosovë – Maqedoni e Veriut

    Reporteri
    21 Dhjetor 2020 | 12:46

    Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është caktuar të mbahet më 25 janar të vitit 2021.


    Ministrat u informuan sot lidhur me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj Halimi tha se kjo mbledhje do të mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

    “Jemi dakorduar që mbledhja e përbashkët të mbahet më 25 janar 2021, në Shkup”, bëri të ditur ajo.

    Në mbledhjen e mbajtur sot Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për kalimet e përbashkëta kufitare Han i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, si dhe nismën për marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu deklaroi se krejt kjo po bëhet në mënyrë që të krijohen lehtësi në procedurat dhe masat që ndërlidhen me kontrollet kufitare të menaxhimit ndërkufitar. /

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!