Seanca e radhës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, do të mbahet më 4 qershor.
Kështu ka bërë të ditur juristja e medias, Flutura Kusari teksa ka publikuar një foto me vëllain e Liridonës, Leonardin dhe avokatin e familjes.
Kusari tha se seanca në rastin e Liridona Ademajt do të mbahet me fillim nga ora 13:20.
“Seanca e radhës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt do të mbahet më 4 qershor në ora 13.20. Drejtësi për Liridonën”, shkroi Kusari.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kreshnik Kokalla, dhe Tom Dodaj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. /Reporteri.net/