Ndonëse ka disa muaj që Mentor Hyseni ia ka mësyer pozitës si Drejtor pranë Administratës Tatimore të Kosovës, e tani kur kanë mbetur edhe gati tre muaj deri te zgjedhjet, pushteti ka ndezur motorët për ta rehatuar atë me patjetër në këtë institucion, ani pse aktualisht mban pozitën e shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Nga AKP-ja në ATK, njeriu i afërt me pushtetin e Kurtit, e i akuzuar edhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë po synon të bëhet drejtor gjeneral në ATK, pozitë kjo e hapur në maj të vitit 2024, kur dhe ishte shpallur konkursi.
Nga pozita në pozitë, Mentor Hyseni, ani pse me aktakuzë për deklarim të rrejshëm të pasurisë në korrik të vitit 2021, kjo gjë s’e kishte penguar atë të merrte poste shtetërore.
Në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i këtij bordi në këtë institucion.
Por, krahas kësaj pozite, Hyseni s’kishte mbetur pa gjë në Qeverinë Kurti 1, ku ishte emëruar anëtar i përkohshëm i bordit në “Ujësjellësi Prishtina”.
Hyseni që po synon pozitën e drejtorit gjeneral në ATK, e që pushteti medoemos dëshiron t’i bëjë vend në institucionet shtetërore, në vitin 2019 kishte aderuarur në Vetëvendosje, aderim për të cilin pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Pubiike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.
Po në atë vit në zgjedhje kishte qenë kandidat për deputetë, por që s’kishte rezultuar i suksesshëm, ashtu siç po rezulton me postet shtetërore që po synon.
Hyseni, shef aktual në AKP, ani pse s’ishte bërë deputet, kishte vazhduar aktivitetin e tij politik me VV-në, duke u bërë edhe donator i kësaj partie, në dhënien e parave për mbështetje të fushatës atë kohë.
Por, a duhet të jetë në pozitën e të parit të ATK-së, Mentor Hyseni?
Më 21 korrik të vitit 2021 ishte ngritur aktakuzë ndaj Mentor Hyseni për deklarim të rrejshëm të pasurisë.
Një gjë e tillë ishte konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokurori i Shtetit pas shqyrtimit të lëndës dhe analizimit të provave ka ngritur Aktakuzë pran Gjykatës Themeiore në Prishtinë kundër të pandehurit Mentor (Heset) Hyseni, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ngritja e kësaj aktakuze u bë bazuar në një kallëzim penal të ngritur nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe njeriu i afërt i Kurtit, e që tani po synon pozitën më të lartë të ATK-së, Mentor Hyseni ishte dënuar me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës.