×
  • Lajme
  • Lajme / Akuzat mes Kryesisë

    “Më brengosin” – Isa Mustafa i shqetësuar për LDK’në, deklarohet për komunikimet e brendshme që i publikoi Reporteri

    Reporteri
    01 Prill 2025 | 19:53

     Serinë e publikimit të komunikimeve të brendshme mes anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viber dhe WhatsApp nga Gazeta Online Reporteri.net, ku akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje të votave me postë të mërgatës, e ka përcjellë edhe ish-Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.

    Mustafa, i cili ka udhëhequr me LDK’në për më shumë se një dekadë, në një prononcim për Reporteri.net, ka shprehur brengën dhe shqetësimin për këto komunikime si ish-udhëheqës i kësaj partie, pa e zgjatur më shumë.

    Tash për tash, ai ka zgjedhur të kursehet nga komentimi mbi to e ndikimin që mund ta kenë në LDK.

    “Të gjitha këto komunikime më brengosin dhe më shqetësojnë si njeri i cili mbi 10 vite e kam drejtuar LDK-në. Por do të kursehem në këtë kohë nga komentimet”, ka deklaruar shkurt Mustafa.

    Gazeta Online Reporteri.net publikoi sot mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.

    Abdixhiku e nis këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.

    Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.

    “Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.

    “Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.

    Përplasja e Abdixhikut me Hotin në “Viber”, kryetari i LDK’së i quante luks momental akuzat për “skemë të organizuar kriminale”

    Paraprakisht, derisa në QNR numërimi i votave të ardhura me postë po shkonte drejt fundit, Avdullah Hoti kishte kërkuar nga “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” t’i njoftonte se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij kishte evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje te çuditshme.

    “E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Unë tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

    “Ju kam paralajmëruar me kohë dhe qartë se i presim 40 mijë vota – sipas raportimit të degëve dhe ekipit për mërgatë. Ju kam paralajmëruar me logjikë; dhe siç ka ndodhë dhe me zgjedhjet e kaluara, votat e mërgatës ndryshojnë kandidatët; prandaj mos shpallni fitore pa u numëruar të gjitha…”, i kundërpërgjigjej tutje Abdixhiku Hotit dhe të tjerëve në kryesi që denonconin, sipas tyre, vjedhjen e votave brenda partisë.

    Disa javë pas përplasjes në “Viber”, Avdullah Hoti kishte denoncuar edhe publikisht në Facebook “skemat” brenda partisë duke kërkuar edhe ndërrimin e lidershipit të LDK-së.

    Nga ana tjetër, Gazeta online Reporteri.net të hënën ka publikuar edhe përplasjen në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

    “Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

    “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

    “Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka publikuar të hënën gazeta online Reporteri.net.

    “Kujtë qitja emrin… skemë e organizuar kriminale” – përplasja në “Viber” mes Shalës e Gashit për votat e diasporës

    Publikimi i këtij debati të brendshëm në grupin e Kryesisë qendrore në “Viber” ka nxitur të hënën mbrëma edhe reagimin e vetë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në Facebook, ai i quajti sulme të sinkronizuaran ndaj LDK-së “të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve” dhe sipas tij “nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. “Ato rikulmuan dhe sonte, në sinkron!”, shtoi Abdixhiku, vetëm pak minuta pasi gazeta online Reporteri.net paralajmëroi publikimin edhe të mesazhit të tij në vazhdën e serisë së publikimit të komunikimeve të brendshme të zhvilluara në grupin në “Viber” të LDK-së.

    “Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.

    Ndryshe, “skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë, e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!