Me kë do të shkojë në koalicion partia e tij – flet Ferid Agani

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka prodhuar një situatë të re politike në vend. Deri më 22 gusht do të vendoset se a do të shkohet në zgjedhje, apo do të ketë një qeveri teknike.


Por zgjedhjet e reja disa parti i ka gjetur të papërgatitura. Njëra ndër to është edhe Partia e Drejtësisë.

Kryetari i saj, Ferid Agani, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se kjo parti është duke i zhvilluar zgjedhjet e brendshme, pasi që nuk kanë planifikuar se do të ketë zgjedhje të reja.

“Është një urgjencë e cila tani na ka goditur ashtu si gjitha subjektet politike, por neve në një mënyrë të veçantë pasi ishim në procesin zgjedhor brenda partisë që e kemi obligim statutor dhe në një far mënyre ka ndërhyrë me rrjedhat e brendshme partiake. Jo, jemi në mes të procesit zgjedhor disa prej degëve i kanë përfunduar zgjedhjet disa prej tyre janë në përgatitje zgjedhore dhe tash natyrisht në qoftë se merret vendimi për zgjedhjet e parakohshme atëherë kjo do të ketë ndikime edhe në procesin zgjedhor brenda partisë por për këtë do të deklarohen organet zgjedhore të partisë”, tha ai.

Megjithatë, ish-Ministri i Shëndetësisë dhe i Mjedisit, thotë se pas dorëheqjes së Haradinajt, në Kosovë është krijuar në gjendje e jashtëzakonshme politike dhe se zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë për situatën e krijuar në vend.

“Mendoj se është krijuar një gjendje e jashtëzakonshme, pa diskutim kjo gjendje ka implikuar zhvillimet të cilat sado që kanë qenë të pritura në njëfarë mënyre dhe ka qenë kërkesë e partive opozitare të shkojnë në zgjedhje sa më parë. Tash mendoj se kemi një mospajtim një fërkim ndërmjet interesave politike, vendore dhe ndërkombëtare. Kjo periudhë tash që e kemi deri më 22 gusht kur është planifikuar të shpërbëhet Kuvendi do të jetë një përudh mjaftë intensive e negociatave. Unë mendoj se zgjedhjet janë rruga më e mirë për marrëveshje me Serbinë. Mendoj se një Qeveri e tillë nuk do të ishte në gjendje që të mbështet një projekt të tillë”, thotë ai

Lideri i PD-së, nuk përjashton edhe mundësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila sipas tij, do të kishte vetëm një qëllim, finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Pas shpërbërjes së kuvendit janë hapur dilema a është prapa gjithë kësaj është një vendim i vendosur i subjekteve politike që të shkohet në zgjedhje të parakohshme meqenëse ka ende modalitete të ndryshme kushtetuese të cilat mund të qojnë në drejtime të ndryshme ndoshta edhe ka fillimi një qeverie gjithëpërfshirëse e cila do të përgatiste zgjedhjet e ardhshme e në ndërkohë do të finalizonte procesin e dialogut me Serbinë me arritjen e një marrëveshje kornizë edhe pastaj të dilet në zgjedhje në njëfarë mënyre si lloj referendumi”, thotë ai.

Agani që partia e tij në tri palë zgjedhjet e kaluara ishte në koalicion me PDK-në, thotë se kësaj radhe ende nuk kanë vendosur se me kë do të vazhdojnë bashkëpunimin.

Përmend tri partitë e mëdha, por pa saktësuar cilat.

“Është ende herët për të shpalosur tash edhe emrat konkret të subjekteve politike të cilat kanë shprehur interesim për bashkëpunim me PD-në, si në kuadër të një koalicioni parazgjedhor, është herët sepse janë bisedimet në zhvillim e sipër jemi duke parë ku kemi pajtime programore sepse Partia e Drejtësisë nuk është e interesuar të hyjë në koalicion parazgjedhorë vetëm sa për të qenë e përfaqësuar në parlament, por të jemi edhe në qeverinë e vendit dhe të jep kontribut konkretë ashtu siç kemi dhënë deri më tani. Janë tri parti të mëdha deri tani të cilat kanë shprehur interesim dhe jemi në biseda e sipër lidhur me këtë se si do të i përafrojmë këto qëndrime programore”, thotë ai.

Partia e Drejtësisë në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me PDK-në, por që nuk kishte fituar asnjë deputet. Madje nuk pati as ndonjë pozitë qeveritare.