×
  • Lajme
  • Lajme

    “Më në fund ai president do të bëjë diçka të mirë” – çfarë thoshte Kurti për ftesën e Thaçit për mandatim

    Reporteri
    27 Dhjetor 2019 | 13:10

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar sot kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurtin që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë.


    Mirëpo, Kurti nuk do të shkojë në takimin konsultativ për caktimin e mandatarit të Qeverisë së re, të thirrur për në ora 13:30 nga presidenti Thaçi, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e VV-së thuhet se Kurti sot ndodhet jashtë Prishtinës, andaj e ka të pamundur të jetë prezent në takimin e ftuar nga Thaçi.

    Aty thuhet se Kurti do ta njoftojë shumë shpejt presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit.

    Në një debat të para disa javëve në Debat përnime Kurti me shumë siguri kishte folur për takimin e tij me Thaçin, duke thënë se më në fund ai president do të bëjë diçka të mirë, duke ia dhënë atij mandatin për formimin e Qeverisë.

    “Është obligim kushtetues i tij edhe më në fund do të ketë një gjë të mirë që do bëjë ai president, do të më jep mandatin mua”, kishte thënë Kurti.

    Kujtojmë se Parlamenti i Kosovës u mblodh dje pasdite dhe zgjodhi kryetarin e ri. Me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime, Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i parlamentit të Kosovës. Zgjedhja e Konjufcës në postin e kryeparlamentarit i bllokon negociatat LDK-VV, për shkak se posti i kryetarit të Kuvendit ishte në plan t’i takonte partisë së Mustafës.

    Në anën tjetër, kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme është shprehur se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit nuk ka qenë befasi për LDK-në, post ky që gjatë negociatave me këtë parti, i takonte LDK-së. Mirëpo lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se LDK nuk kishte asnjë informacion për këtë veprim, siç  e ka quajtur ai të njëanshëm të Vetëvendosjes.

    Megjithatë nga të dy partitë kanë thënë se do të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!