×
  • Lajme
  • Lajme

    Më të interesuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme sesa në ato të 6 tetorit, certifikohen mbi 86 mijë votues në Podujevë

    Reporteri
    04 Mars 2020 | 18:25

    Edhe 11 ditë kanë mbetur deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve. 


    Të drejtë vote kanë 85 mijë e 610 qytetarë të Podujevës, shkruan Gazeta Express.

    Më 15 mars, podujevasit do të votojnë për kandidatin i cili do të zgjidhet për të vazhduar mandatin e kryetarit të deritanishëm, Agim Veliu.

    Në garë për të vazhduar mandatin e Veliut janë tre kandidatë. Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së.

    Ndërkohë, KQZ’ja ka certifikuar listat përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.

    Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ’së, ka treguar për Gazetën Express se janë 1 mijë e 356 votues më shumë se në zgjedhjet e 6 tetorit.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Kjo listë përmban 86 mijë e 610 emra të votuesve apo 1 mijë e 356 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit, ato për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 6 tetor 2019. Ndërsa, si votues jashtë vendit kemi të regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit 227 votues”, ka treguar Elezi.

    Elezi ka bërë të ditur se në komunën e Podujevës janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, derisa janë 4 vendvotime më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2019.

    “Qendra e votimit me numrin më të madh të votuesve në komunën e Podujevës është e vendosur në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini”, 1824E, e cila ka gjithsej 12 mijë e 929 votues, të cilët janë të shpërndarë në 15 vendvotimet e kësaj qendre”, ka theksuar Elezi për Express.

    Ndërkohë, si në të gjitha zgjedhjet, ka raste kur votuesit kërkojnë të ndërrojnë qendrën e tyre të votimit.

    Për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, janë aprovuar 200 kërkesa të tilla.

    “Edhe në këto zgjedhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar mundësinë e ndërrimit të qendrës së votimit (17 shkurt – 28 shkurt), varësisht se ku është më e përshtatshme për ta. Gjatë kësaj periudhe kemi pranuar 209 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit dhe shërbimi votues, pas shqyrtimit, ka aprovuar 200 prej tyre”, ka shtuar Elezi.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

    Podujeva do të shkojë në zgjedhje pasi kryetari i deritanishëm, Agim Veliu, është emëruar ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!