×
  • Lajme
  • Lajme

    Mediat serbe: Merkel dhe Macron organizojnë takim mes Kosovës dhe Serbisë për taksën

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 7:55

    Gjermania dhe Franca po bashkërendojnë ngushtë për përgatitjet e Samitit të Parisit i cili do të jetë një lloj vazhdimi i takimit i cili u mbajt në Berlin vitin e kaluar.


    Kjo është konfirmuar për gazetën serbe ‘Blic’ nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel.

    Nga ana tjetër, Brukseli ka theksuar se samiti i ri “do të ketë diskutime mbi hapat e nevojshëm për të krijuar marrëveshje” midis Beogradit dhe Prishtinës

    Gazeta thekson se njoftimi i kryeministrit kosovar, Albin Kurti për heqjen e taksës më 1 prill me kushte të caktuara u refuzuan nga Serbia dhe nga Shtetet e Bashkuara.

    Sipas ‘Blicit’ në qoftë se taksa hiqet më menjëherë mbledhja e zyrtarëve nga Prishtina dhe Beogradi në një tryezë nuk do të jetë e largët.

    Këtë e ka bërë të ditur edhe presidenti francez, Emanuel Macron i cili i ka sugjeruar Kurtit që së pari të heqë plotësisht tarifat.

    “Gjermania mbështet plotësisht vazhdimin e shpejtë të dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, nën kujdesin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borel se ndërmjetësues. Në këtë kontekst, Franca dhe Gjermania po bashkërendojnë ngushtë për vazhdimin e takimit të mbajtur më 29 prill 2019 në Berlin”, kanë thënë për gazetën serbe nga zyra e Merkelit.

    Të hënën në Shtëpinë e Bardhë është zhvilluar një takim në mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka deklaruar se kërkon heqje të taksës për të vazhduar dialogun me Kosovën, dhe i ka bërë thirrje përfaqësuesve të Kosovës të mos i bëjnë thirrje Serbisë për njohje pasi kjo vetëm se e përkeqëson situatën, përcjell lajmi.net.

    Nga ana tjetër, Thaçi nuk ka treguar se çfarë është diskutuar në këtë takim, por ka thënë se ditët në vazhdim do të raportojë në Kuvendin e Kosovës dhe para qytetarëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!