×
  • Lajme
  • Lajme / Mbledhja e Asamblesë Parlamentare

    Mediumi spanjoll: Spanja do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Reporteri
    13 Prill 2024 | 16:35

    Përfaqësues të PSOE, partisë socialiste në Spanjë pjesë e së cilës është edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dhe ata të PP-së, pritet që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjatë  mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që do të mbahet javën e ardhshme, më 16 prill.

    Kështu raporton agjencia spanjolle e lajmeve “Europe Press”.

    Sipas këtij raportimi, pesë anëtarët socialistë dhe tre nga PP-ja, do të refuzojnë  të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin.

    Agjencia “Europe Press” për këtë raportim i referohet një burimi, për të cilin thotë  se është nga partia e Sanchez.

    Votë kundër paralajmërohet edhe në Këshillin e Ministrave, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

    Hapi i radhës do të jetë më 16 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Më pas, gjatë muajit maj, trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe Kosova pret që raporti të miratohet me 2/3 e ministrave të Punëve të Jashtme./Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!