Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë rast, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se është obligim i të gjithëve që të kujtojnë sakrificën e familjes Jashari e të frymëzohemi që të bëjmë punë të mira për shtetin.
“Sa herë që jemi në Prekaz padyshim që kemi emocione sidomos gjatë Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse këto janë datat që shënojnë kthesën më të madhe në historinë tonë. E kemi për obligim jo vetëm që ta kujtojmë me krenari sakrificën e familjes Jashari por edhe të frymëzohemi për të bërë punë të mira për shtetin tonë”, shtoi ai.
Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, edhe krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Të martën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kurse, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për Epopenë e UÇK-së.
Gjithashtu një manifestim është mbajtur në kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Në të gjitha aktivitetet u vlerësua lartë sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.