Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me koronavirus.
Krasniqi ka thënë se Kosova nuk reagoi në mënyrën e duhur përballë rrezikut që ishte paralajmëruar për variantin Delta.
Ai ia ka përkujtuar Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia se në qysh në muajin qershor janë konfirmuar dy raste me variantin Delta në Kosovë, dhe se më 11 korrik, 90 përqind e rasteve aktive me Covid në vend, ishin me këtë variant, shkruan Reporteri.net.
“Më 29 qershor në Kosovë, u konfirmuan dy raste me variantin Delta, trend ky që ka filluar të shtohet në mënyrë drastike. Më 11 korrik, nga MSH është konfirmuar se më shumë se 90 përqind e rasteve aktive, ishin me këtë variant. Për ta kuptuar në shifra shkallën e përhapjes nga varianti Delta mjafton të analizohet ndryshimi i situatës në periudhën qershor dhe korrik.
Më 31 korrik kishim atë ditë vetëm 92 raste pozitive, më 31 gusht patë 1 mijë e 331 raste pozitive. Mjerisht të gjitha këto paralajmërime i pa Qeveria e Kosovës e nuk ndërmori masa për parandalimin e rrezikut. Përkundrazi kemi pa tentim për relativizim të situatës.
Bota reagoi në mënyrën e duhur, por fatkeqësisht jo edhe Kosova. Qeveria nuk e menaxhoi në mënyrë efikase menaxhimin me pandeminë. Për më tepër nuk është bërë administrimi i duhur i dozave, siç u dëshmua edhe dje, Pamundësia për të caktuar termin për vaksinim vazhdon të mbajë peng një numër të qytetarëve”, u shpreh ai në një konferencë për media.
Krasniqi kërkoi edhe një herë që deputetët të kthehen nga pushimi në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin krahas nevojave të sektorit shëndetësor në luftë me pandeminë.
“Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme.”, tha ai.
Kryetari i PDK-së kërkoi që të gjitha këto nevoja emergjente të reflektohen në Buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.
“Përballë kësaj tragjedie dhe këtij trendi kaq të rëndë e të rrezikshëm njëkohësisht, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh e më të rëndësishëm sesa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë.Të gjithë duhet të bëhemi bashkë – që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë.Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri.”, theksoi ai. /Reporteri.net