×
  • Lajme
  • Lajme

    Memli Krasniqi: Kosova po kalon nëpër një tragjedi – Qeveria duhet ta ketë një plan të qartë veprimi

    Reporteri
    26 Gusht 2021 | 19:31

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendi po kalon nëpër një tragjedi ku për shtatë ditët e fundit kanë vdekur 85 qytetarë në betejë me Covid-19, prej të cilëve 18 vetëm sot, ndërsa numri i rasteve aktive të të infektuarve ka arritur shifrën prej rreth 25 mijë.


    Krasniqi ka thënë se kjo gjendje alarmante ka ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të Qeverisë me pandeminë.

    Krasniqi ka kërkuar urgjentisht që Qeveria të dalë me një plan të ri menaxhimi me shtim të kapaciteteve.

    “Çdo ditë neglizhence e mëtejshme do të na kushtojë me më shumë jetë të qytetarëve që me kujdes e menaxhim efikas mund të shpëtohen. Qeveria nuk mund ta aktrojë edhe më tej normalitetin në këtë kohë jonormale”, tha kreu i PDK-së.

    Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:

    Kosova po kalon nëpër një tragjedi. Nuk mund të quhet ndryshe, pos tragjedi, kur në shtatë ditët e fundit kanë vdekur 85 qytetarë në betejë me Covid-19, prej të cilëve 18 vetëm sot, ndërsa numri i rasteve aktive të të infektuarve ka arritur shifrën e frikshme prej rreth 25 mijë.

    Kjo gjendje alarmante, që vjen para së gjithash si pasojë e menaxhimit të dobët të pandemisë, duhet të adresohet urgjentisht. Qeveria duhet ta ketë një plan të qartë veprimi – me aplikimin e masave të duhura dhe efikase, me rritjen e kapaciteteve për vaksinim dhe shtimin e numrit të qendrave të vaksinimit, si dhe me investime të menjëhershme në spitale dhe me sigurim të medikamenteve që po mungojnë për pacientët.

    Çdo ditë neglizhence e mëtejshme do të na kushtojë me më shumë jetë të qytetarëve që me kujdes e menaxhim efikas mund të shpëtohen. Qeveria nuk mund ta aktrojë edhe më tej normalitetin në këtë kohë jonormale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!