Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për mundësinë e mbajtjes s zgjedhjeve të reja parlamentare.
I pyetur në një intervistë për T7 nëse do të jetë ai kandidati i PDK-së për kryeministër, Krasniqi ka theksuar se beson që atë rol do ta mbajë sërish Bedri Hamza.
“Veprimet të cilat i kam ndërmarrë e për të cilat kam pasur edhe mbështetjen e lidershipit të PDK-së, besoj që kanë dhënë rezultatet që i kam dhënë edhe kur e kam propozuar. Është e vërtetë që ne kishim jo vetëm dëshirë por edhe pritje që rezultati të jetë më i ngushtë me LVV-në. Unë jam i bindur që Bedri Hamza duhet të jetë kryeministër i Kosovës në këtë fazë, 100 për qind jam i bindur sepse besoj që kompetenca e tij, karakteri i tij depolarizues, figura e tij me përvojë të jashtëzakonshme, është i domosdoshëm për të rikuperuar fillimisht dëmin që ia ka shkaktuar qeveria Kurti, Kosovës e pastaj për të vazhduar në rrugën tjetër. Normalisht ne qeverisjen kurrë nuk e shohim individuale por e shohim ekipore. Unë kam besimin se Bedriu do të ishte figura më e mirë, më e përshtatshme me qenë kryeminsitër sot. Bedriu do të duhet të jetë kandidat për kryeministër edhe në zgjedhjet të cilat unë jam i bindur se do të mbahen shumë shpejt sepse s’ka ndryshuar asgjë nga konteksti aktual.”, tha ai, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Sipas tij, ky kontekst do të prodhojë zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti.
Krasniqi tha se e ka bllokuar vendin sepse nuk e ka shumicën dhe nuk mund të bëhet kryeministër.