Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se pas kërkesës së Ministrisë së Bujqësisë për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ka konfirmuar shkëputjen e kësaj kontrate, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor.
E falënderojmë qiradhënësin për bashkëpunimin e deritashëm”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka thënë se sot ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Siç tha ai kontrata me AAK-në është shkëputur përfundimisht, për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim, dhe se më së largu deri në shtator do duhet të lirohen zyret.
Gazeta Online Reporteri.net në dokumentin e siguruar të kësaj kontrate, thuhet se marrëveshja mes palëve ka qenë deri në vitin 2026, me mundësi ndërpreje tre muaj para afatit të skadimit të kontratës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte paguar mbi 4,500 euro në muaj për shfrytëzimin e këtyre zyrave në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net/