Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se Washingtoni pret që gjatë vitit 2024, Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe sipas tij, dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.
Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Hovenier tha se nga Marrëveshja drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti, përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.
“Më 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje”, tha Hovenier.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë, ndërkaq në mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ende nuk ka nisur.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.
Kurti: Ata që e donin Asociacionin e humbën shansin më 26 tetor, unë isha i gatshëm për nënshkrim
Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, kishte shkruar Kurti në Facebook.
Në shtatë pikat e tij, Kurti ka kërkuar sanksionimin e Serbisë për aktin terrorist të 24 shtatorit dhe për zotimin për të mos e zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024./Reporteri.net