Një punëtor nga Shqipëria, i moshës 35 vjeçare, sot paradite humbi jetën duke rënë në sillosin e fabrikës së çimentos Sharr Cem në Han të Elezit.
Reporteri.net, nga burime brenda fabrikës, ka mësuar se punëtori në momentin e rrëshqitjes, nuk kishte qenë i mbrojtur me rrip të sigurisë.
Një pakujdesi e vogël e mos ofrimit të kushteve të sigurisë në punë, një të riu nga Shqipëria që po punonte në fabrikën në Han të Elezit në Kosovë, i kushtoi me jetë.
Reporteri.net, nga burime brenda fabrikës Sharr Cem, mëson se 35-vjeçari i takonte një kompanie nga Shqipëria, e cila ishte kontraktuar nga fabrika kosovare për pastrim të sillosit.
Një i punësuar në këtë fabrikë, në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Online Reporteri se punëtori nga Shqipëria, gjatë pastrimit të sillosit, duke mos qenë i lidhur me rrip të sigurisë, në momentin kur kishte rrëshqitur, kishte rënë në sillos, ku edhe e kishte humbur jetën nga pluhuri i çimentos. Ai nga aty siç raportoi edhe policia, ishte nxjerrë pa shenja jete.
Ndryshe, sipas policisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /reporteri.net