Meta dhe Rama bashkë në Varrezat e Dëshmorëve, Ruçi: 29 nëntori datë supreme në kalendarin e lirisë

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kanë zhvilluar së bashku homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Kryeminsitri Rama është shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministrja e Shtetit Elisa Spiropali dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.


Më herët kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka publikuar një mesazh me rastin e 76-vjetorit të çlirimit. Ai e konsideron 29 nëntorin, një datë supreme në kalendarin e lirisë që kurorëzoi zgjedhjen e drejtë të partizanëve dhe patriotëve shqiptarë, në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë.

Mesazhi i kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi

Në kalendarin e lirisë, 29 nëntori qëndron ndër datat më kryelarta të shqiptarëve.

Është dita që kurorëzoi zgjedhjen e drejtë të partizanëve dhe patriotëve shqiptarë, në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë.

Është dita që realizoi ëndrrën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit, e cila është vepër e çlirimtarëve dhe partizanëve shqiptarë.

Çlirimi ishte rezultat i betejave të përgjakshme në malet, luginat, fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë.

Fitimtarë të Luftës Antifashistë Nacional-Çlirimtare nuk ishin thjesht dhe vetëm partizanët shqiptarë; ishte populli shqiptar; ishte vetë Shqipëria.

Vlerat antifashiste qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm europian e perëndimor dhe ato e shtyjnë botën drejt të ardhmes, progresit, paqes dhe zhvillimit.

Kolaboracionizmi, si një kërcënim i lirisë, në format e tij të ndryshme, të vjetra e të reja, tradicionale e moderne, e tërheq botën drejt të kaluarës, pasigurisë, errësirës dhe regresit.

Liria nuk është thjesht dhe vetëm fitorja mbi pushtuesit, me maliherët dhe fishekët rrëmbyer armikut. Liria e vërtetë qëndron në dashurinë tonë për të, të trashëguar brez pas brezi. Shpirtrat e lirë të njerëzve të lirë janë mburoja e lirisë dhe garancia e saj.

Kombet që dhunojnë lirinë e të tjerëve, nuk e meritojnë lirinë e tyre. Në çdo kohë e në çdo vend, popujt që luftojnë për tu çliruar nuk mund të quhen pushtues, dhe viktimat që luftojnë për liri, drejtësi e dinjitet, nuk mund të quhen agresorë.

Lufta Antifashiste u bë në emër të të sotmes. Betejat e sotme për lirinë i bëjmë në emër të së ardhmes.

Për lirinë luftohet në çdo kohë dhe nga gjithkush që e aspiron atë. Ashtu siç nderojmë partizanët çlirimtarë për luftën e tyre, nderojmë qytetarët në betejat e përditshme për punën, jetën dhe familjen; nderojmë mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës për mbrojtjen e jetëve njerëzore.

Lufta për lirinë fisnikëron kombin, atdheun, shoqërinë dhe çdo qytetar.

Dje burimi i lirisë ishte lufta për çlirim, sot motivi i saj është lufta për vlerat thelbësore të shoqërisë, mirëqenien, solidaritetin, tolerancën dhe paqen.

Ambasada amerikane në Tiranë ka zgjedhur vargjet e rilindasit Naim Frashëri për të uruar 76-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

“Me këto vargje frymëzuese nga poeti i madh Naim Frashëri, ne nderojmë Ditën e Çlirimit të Shqipërisë!

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka, më je nënë, më je motër, më je vlla. Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je. Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe”