Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar në Prishtinë edhe me përfaqësuesin e Bashkimin Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Meta, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Shqipëria e mbështet plotësisht procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se është koha për arritjen e një marrëveshjeje me njohje reciproke të të dyja vendeve.
“Kënaqësi të takoja në Prishtinë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke vlerësuar se tashmë është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke të të dy vendeve”, ka shkruar Meta.
Kreu i Shqipërisë tha se së bashku me Lajçakun vlerësuan rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit dhe gjithë iniciativave të tjera gjithëpërfshirëse për integrimin rajonal dhe evropian të vendeve tona.