×
  • Lajme
  • Lajme / Dosja

    MI nënshkruan nesër kontratat për tenderin gati 32 milionësh për rrugën Prizren-Tetovë, kompanitë që u shpallën fituese dhe ofertat

    Reporteri
    01 Gusht 2024 | 20:06

    Ministria e Infrastrukturës do të nëshkruajë nesër kontratat për tenderin 32 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, segmenti Struzhë – Kyçja në Autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren – Jug, i ndarë në tri lote, shkruan Reporteri.net.

    Lotin I, në vlerë prej 8 milionë euro, e ka fituar konsorciumi “4 A-M; PREMIUM BETON SH.P.K; GPG Company Sh.p.k”. Për këtë lot, oferta më e shtrenjtë ka qenë 11 milionë e 824 mijë e 491 euro.

    Për Lotin II, fituese është shpallur konsorciumi “PRICOM SH.P.K; METAG INSAAT TICARET A.S; FS C ING SH.P.K; JAHA SOLAR”. Kontrata për këtë lot është me çmimin më të lartë, apo 15 milionë e 605 mijë e 675 euro. Çmimi më i lartë i ofertës për këtë lot ka qenë 17 milionë e 574 mijë e 955 euro.

    Ndërkohë, për lotin III, vlera e kontratës është 8 milionë e 346 mijë e 804 euro dhe fitues është shpallur konsorciumi “EUROKOS HOLDING SH.P.K; ALFA.i; EL-BAU SH.P.K; Agim Morina B.I; N.N.SH. ËORLD MEDIUM; Adnan Bislimi B.I.”’. Oferta më e lartë për këtë lot ka qenë 11 milionë e 90 mijë e 997 euro.

    Loti 1 parashihet të përfundojë për 255 ditë pune, Loti 2 për 425 ditë pune dhe Loti 3 për 255 ditë pune.

    Vlera e parashikuar për këtë kontratë ka qenë 35 milionë euro dhe tenderi është dhënë me procedurë të hapur.

    “Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, në janar të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

    Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.

    “Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës “Ibrahim Rugova””, kishte deklaruar Ministri Liburn Aliu.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!