×
  • Lajme
  • Lajme

    Michel: Së shpejti do të ketë zhvillime pozitive për Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    17 Qershor 2022 | 10:39

    Në Forumin e Prespës për Dialog kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

    Në Forumin e Prespës për Dialog me temë “Ndërtimi i ardhmërisë në Ballkanin Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë” po trajtohen çështjet më urgjente të sigurisë politike dhe ekonomike me të cilat përballet sot Evropa dhe Ballkani Perëndimor, me fokus të veçantë në implikimet e luftës së Ukrainës në situatën e përgjithshme ndërkombëtare, politike, atë të sigurisë, mundësitë ekonomike në Evropë dhe më gjerë.

    Kryetari i këshillit Evropian Charles Michel tha në Ohër se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “BE-ja është e fort e përkushtuar që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Po i bëjmë të gjitha përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët e pranueshme për të dyja palët për çështjet e hapura me palën bullgare. Unë jam i kyçur në këtë bashkë me Francën dhe BE-në dhe dëshirojmë të ndihmojmë këtë proces që të ecë përpara. Jam i bindur se së shpejti do të ketë një zhvillim shumë pozitiv, që do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe mbarë rajonin”, deklaroi Charles Michel.

    Pendarovski: Ne nuk e kemi parë propozimin francez

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha pas takimit me Charles Michel se deri tani në vend nuk ka arritur asnjë propozim francez për zgjidhjen e kontestit me Sofjen. Pendarovski nuk dëshiron të komentojë zhvillimet në skenën politike në Bullgari, sepse, siç tha ai, është çështje e brendshme e Sofjes. “Ne në Shkup nuk kemi parë ndonjë propozim francez. Ne jemi duke biseduar me kolegët tanë bullgarë dhe për këto bisedime jemi njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Nuk kam ndërmend të komentoj se çfarë po ndodh në Sofje, është dinamika e brendshme politike e tyre. Ne jemi duke biseduar me kolegët tanë bullgarë në kuadër të dialogut që kemi pasur me muaj të tërë”, tha presidenti Pendarovski.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!