Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi sot u prezantua si zëvendëskryeministër i mundshëm nga Vetëvendosje. Është paksa e çuditshme ngjitja e shpejtë e tij në politikë.
I lidhur për shumë vjet me kompani e organizata amerikane, siç ishte ajo Rockefeller Brothers, Abazi tani është bërë një majtist i madh dhe i besuari i pretendentit për kryeministër Albin Kurtit, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka lënë anash një numër të madh të njerëzve me të cilët e ndërtoi Lëvizjen Vetëvendosje për t’ia besuar Abazit shoqërimin në Qeveri si zëvendëskryeministër.
Haki Abazi dikur ka qenë i angazhuar në shoqëri civile ku përmes fondeve nga Rockefeller Brothers kishte mbështetur organizata e media të ndryshme. Ishte fokusuar kryesisht edhe në energji të ripertritshme.
Fliste shpesh si njohës i rrjedhave politike.
Kur Shpend Ahmeti fitoi zgjedhjet për kryetar të Prishtinës, Abazi konsiderohej një mik i fortë i tij.
Pas një kohe, të dytë prishin raportet dhe Abazi filloi të flirtonte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Aty ai me gjasë nuk u prit mirë dhe filloi të flasë kundër gardës së vjetër në LDK. U bë edhe armik publik i grupit të Shpend Ahmetit që doli nga Vetëvendosje. Si gjithmonë ishte një armik i përbetuar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit ai u rreshtua me Vetëvendosjen duke u zgjedhur edhe deputet dhe tash pretendent për numrin dy në qeveri nga Vetëvendosje.
Abazi ishte përfshirë shpesh në polemika me akterë të ndryshëm por ajo që i mbahet mend është një përleshje fizike me tash kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj.
Kjo kishte ndodhur pas një debate të ashpër televiziv, në të cilat ishin ‘përmendur edhe gratë’.
Ish-analisti, Haki Abazi është bërë pjesë e Vetëvendosjes me 20 gusht të vitit 2019.
Ai ka diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA. /Reporteri.net/.