Luljeta Aliu nuk do të jetë më në karrigen e anëtares së bordit të KPM-së. Asaj i ka skaduar mandati si anëtare bordi në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku ishte zgjedhur saktësisht dy vjet më parë.
Aliu ishte zgjedhur anëtare bordi në KPM në maj të vitit 2023. Ajo siguroi votat e nevojshme në Kuvendin ku Lëvizja Vetëvendosje kishte shumicën parlamentare, mirëpo zgjedhja e saj në këtë pozitë pati nxitur reagime të shumta, pasi Aliu shihej si e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, përmes qëndrimeve që ajo vet i kishte shprehur një kohë të gjatë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Zgjedhja e saj ishte kundërshtuar edhe nga organizatat ndërkombëtare.
Atë kohë kishte reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave, duke vlerësuar se Aliu nuk do të mund të shërbejë si e pavarur në këtë pozitë. Ndërkohë nga opozita kishin thënë se pushteti e ka përzgjedhur në këtë pozitë militanten e vet.
Me skadimin e mandatit të Aliut dhe të anëtarëve tjerë, bordi i KPM-së ka mbetur me vetëm dy anëtarë: Besnik Berisha – kryetari aktual i bordit, i zgjedhur pas skadimit të mandatit të Jeton Mehmetit, dhe Fitim Veliu.
Gazeta online Reporteri.net gjatë ditës ka tentuar të kontaktojë me Aliun për ta pyetur nëse synon sërish të kandidojë sërish për pozitën e anëtares së bordit të KPM-së, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.
Kujtojmë se në janar të këtij viti, Besnik Berisha u zgjodh kryetar i ri Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për një mandat dyvjeçar. Procesi i votimit, i cili ndodhi disa ditë para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, nxiti reagime të shumta. /Reporteri.net/