Partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe sot kritikat ndaj Qeverisë Kurti, ku deputetët e zyrtarë të tjerë të këtij subjekti e kanë kritikuar për injorim të kategorive të ndryshme, si mësuesve, policëve, pensionistëve etj, dhe i kanë quajtur ministrat të paaftë, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se sipas raportit të buxhetit për vitin 2023 kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 mil euro për shkak të inflacionit, shkruan Reporteri.net.
“Sipas raportit të buxhetit për vitin 2023, kompanitë që kanë pasur kontrata me shtetin janë dëmshpërblyer me 8.5 mil euro për shkak të inflacionit.
Por kjo nuk ka ndodhur për mijëra arsimtarë, mjekë, policë, shërbyes civil, ushtarë, pensionisë, familje në asistencë, veteranë të luftës e kategori të tjera.
Për të gjitha këto kategori, të ardhurat reale janë ulur për shkak të inflacionit.
Pavarësisht rritjes së të hyrave buxhetore që vinte nga rritja e çmimeve, dhe rezolutave të opozitës, qeveria i ka injoruar këto kategori”, ka shkruar Hoti.
Kurse, Visar Azemi, anëtar i kryesisë të LDK-së ka shkruar në Facebook se derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve siç i quan ai të porositura, ai është marrë me numrat që thotë se e shpërfaqin realitetin e Qeverisë Kurti.
Ai thotë se këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi.
Postimi i tij:
Derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve të porositura, le t’i trajtojmë pak numrat që e shpërfaqin realitetin e kësaj qeverisjeje. Këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi.
Shkojmë me “sondazhin” më të ri për ministrat më të dobët në realizimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2023.
– Ministri më i mirë nga ministrat më të dobët është ai i Financave, Hekuran Murati, i cili ka arritur t’i realizojë pak më shumë se gjysmën e investimeve kapitale, veç 52%. Muratit, që i pëlqejnë shumë grafikat që flasin për “sukseset e Qeverisë”, ia falim edhe këtë grafikë që e nxjerr fitues në garën mes ministrave më të paaftë.
– Vendin e dytë e ndajnë me nga 51% Arben Vitia i Shëndetësisë dhe Albulena Haxhiu e Drejtësisë. Kjo dyshe kanë menduar që shkalla e realizimit të investimeve kapitale duhet të jetë e njëjtë me përqindjen e partisë në zgjedhjet e fundit, pra kanë besuar që duhet t’i realizojnë vetëm projektet e elektoratit të tyre.
– Në vend të tretë, pa i realizuar as gjysmën e investimeve kapitale, me 44%, është Rozeta Hajdari e Tregtisë, sigurisht e asistuar nga Ridi i Bukë e Zemër. Përqindja e saj do të ishte më e lartë sikur të mos kishte humbur shumë kohë nëpër gjykata, sikur të mos ishte aq e zënë duke arsyetuar aferat në ministri dhe sikur të mos kishte shumë punë në luftën kundër bizneseve.
– Afër saj me 42%, në vendin e katërt është ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Edhe ai do të ishte më mirë sikur shefi i tij ta linte më shumë të mirrej me Veriun e komunitetin serb, por non stop i ka qëndruar në territor.
– Kurse, në vend të fundit, në vendin e pestë, duke mos e kaluar pragun, është ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
Kjo renditje paraqet rast unik në rajon e botë pasi që një pushtet që i thur vetes lavde për rritje ekonomike të lartë, ka ministre të ekonomisë dike që mezi realizon 11% të investimeve kapitale brenda një viti. Me këtë, Kosova bëhet shteti i vetëm në botë që ka rritje ekonomike aq të lartë me realizimin e minimumit të projekteve kapitale 🤦🏻♂️
Ndërsa zyrtari tjetër i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se historia ka treguar se LDK sa më shumë që është goditur.
“Në zgjedhjet që po vijnë: Faktet do ta mundin propagandën!
Historia ka treguar se LDK sa më shumë që është goditur, aq me shumë është përbashkuar dhe është ngritur. Ne jemi këtu – Ne jemi të vërtetë. Rruga e jonë i duhet Kosovës✌️! “, ka shkruar ai në Facebook.