Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur takim me stafin e ATK-së, për të ndërmarr masat kundër keqpërdorimeve të bizneseve pas përhapjes së Coronavirusit.
Ministri Bislimi ka folur për panikun e krijuar nga qytetarët për blerjen e ushqimeve, kjo për shkak të ngritjes se çmimeve nga supermarketet dhe farmacitë.
Për këtë Bislimi potencoi se inspektorati do të dalë në teren për të identifikuar situatën, e në rast të keqpërdorimit do të mbyllen bizneset.
“Bizneset në këto situata punojnë për përfitime të përkohshme, ndikon buxhetin dhe në krijimin e një panik të arsyeshme ku qytetarët dëshirojnë të blejnë që mos të pësojnë në ngritjen e çmimeve. Kemi pasur një takim dhe kemi diskutuar se çfarë masa të ndërmarrim që të mbrojmë qytetarët. Të kthej çmimet në nivelin normal, ATK-ja të dalë në teren për të inspektuar marketet dhe farmacitë për të identifikuar çmimet. Në rast se ka çmime të tilla, atëherë do të ndërmarrim veprime rigoroze në mbylljen e biznesit”, ka deklaruar ai raporton Ekonomia Online.
Bislimi ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.
“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”.
Kryetari i ATK-së, Ilir Murtezaj, deklaroi se Inspektorati do të dalë në teren për të parë situatën.
Ai premtoi se në rast të ndonjë keqpërdorimi nga bizneset, do të bashkëpunojnë me prokurorinë.