Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i ka reaguar kryetarit të LDK-së, njëherit kandidatit për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lumir Abdixhikut i cili të hënën në konferencë për media tha se partia që ai drejton s’bëhet pjesë e asnjë qeveria pa postin e kryeministrit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Për Çekun, kjo deklaratë e Abdixhikut bie në kundërshtim me një të para disa javës, ku pati shkruar sipas tij se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet..dhe se respektojnë preferencat e qytetarëve.
“Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në FB se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…” dhe se “…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.” Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin”.
“Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit?”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Ai tutje i drejtohet Abdixhikut duke i thënë se ai s’mund të bëhet kryeministër, kur është trefish larg nga fituesi.
“Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht.
Ky është standardi i mashtrimit që e kemi parë në të kaluarën. Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”, ka shkruar ai.
/Reporteri.net/