×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Mehaj: Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka dëshirë të mos ndodh shërbimi i detyrueshëm ushtarak

    Reporteri
    05 Maj 2021 | 9:50

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është pyetur sot në komisionin për Siguri nga deputeti i PDK-së, Elmi Reçica për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.


    Reçica e ka pyetur ministrin Mehaj se cili është qëndrimi i tij për detyrimin ushtarak dhe nëse e ka të njëjtin mendim me kryeministrin Albin Kurtin për këtë temë.

    Mehaj tha para deputetëve se do të punojnë në këtë plan ushtarak, mirëpo, që kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti, sepse ka disa probleme me çështjen e buxhetit dhe duhet një plan më afatgjatë.

    “Kur është çështja te detyrimi ushtarak, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka qejf kjo mos me ndodhë, mos me marrë punën e papës apo hoxhës, ne do të punojnë në planin e detyrimit ushtarak, do ta shqyrtojmë, sa na përket buxheti, duhet me ja nis prej arsimit. Në Norvegji janë rreth 60 mijë brenda vitit 10 mijë i zgjedhin për me kry detyrën për me mbrojtë shtetin. Një plan do ta kemi në të ardhmen, po na duhet kohë sa i përket detyrimin ushtarak”, tha ai, duke bërë të ditur se nuk e di se sa buxhet do t’i duhej shtetit për këtë.

    “Sa buxhet duhet me të vërtetë më shumë kohë, duhet një plan gjithëpërfshirës, edhe kazerma ushtarake. Të ardhmen do të ju përgjigjem më detajisht, po në plan qeverisës është”, tha ai.

    Ai tutje ka thënë se për momentin janë vetëm 7 ushtarë me COVID 19.

    Reçica e ka pyetur tutje ministrin për qëndrimin e tij lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme dhe atë se sa janë duke e ndihmuar shtetin në luftën me pandeminë pjesëtarët e FSK-së.

    “Pa pas nevojë me shpallë gjendjen e jashtëzakonshme ju e keni ofru mbështetjen? Se ka qenë këtu një situatë me gjendjen e jashtëzakonshme kujt i takon, a presidentit a kryeministrit”, ka pyetur Reçica.

    Mehaj iu është përgjigjur se është një ekip që po punon ngushtë për ta ndihmuar QKUK-në për vaksinim.

    “Ne e mbështesim QKUK-në përmes vaksinimit, ne do të marrim pjesë edhe në të ardhmen, është një ekip që bashkëpunon ngushtë”, tha ministri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!