×
  • Lajme
  • Lajme / Dyshimet për keqpërdorime

    Ministri Peci flet për bastisjen e djeshme në Ministrinë e Bujqësisë: Të vërtetën do ta thotë drejtësia

    Reporteri
    21 Mars 2025 | 14:04

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, ka folur për bastisjen e djeshme në ministrinë që ai drejton. 

    Peci ka theksuar se pamjet që janë transmetuar në media, ajo pjesë e objektit nuk ka qenë fare pjesë e kontratës për të bërë renovime.

    “Të vërtetën ta thonë institucionet e drejtësisë, edhe akterët, të cilët janë intervistuar edhe që kanë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të merren me procedurën. Mua më kanë thënë që nuk ekziston pozicion, ku thuhet që është bartje e mobilieve, aq më tepër që në këtë raportim medial ekziston një video që është bërë te kati i objektit të Ministrisë së Bujqësisë që nuk ka qenë hiç pjesë e kontratës për të bërë renovimin në atë objekt. Është bërë video, është bërë shpifja se në katin, ku nuk është hiç pjesë e kontratës për çka pretendohet se ka mundur të ketë abuzim financiar”, ka thënë ministri Peci para mediave.

    Gjatë ditës së djeshme Krimet Ekonomike kanë kryer bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.

    Pas disa orë bastisje, Bedri Dobra, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje është shoqëruar për në polici.

    Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se se zyrtarët e kësaj ministrie dyshohen për tri vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

    “Zytarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.

    Bastisjet erdhën një ditë pas raportimit se Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, kishte paguar 66 mijë euro për largimin e disa mobilieve që nuk ekzistonin në objektin ku pati selinë AAK-ja./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!