×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Selimi heqë dorë nga propozimi që Kryeprokurori Lumezi të kryesojë serish Komisionin për Jurisprudencë – e zëvendëson me Enver Pecin

    Reporteri
    26 Tetor 2020 | 13:06

    Qeveria e Kosovës, javën që shkoi, ka miratuar Propozimet e Ministrisë së Drejtësisë për Anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Kryesues i këtij komisioni është propozuar Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci. Përkundër se Ministri Selim Selimi në gusht të këtij viti kishte bërë publike se Kryeprokurori Aleksandër Lumëzi është propozuar serish nga ai për të drejtuar këtë komision, tash shefi i Prokurorisë së Shtetit është lënë krejtësisht jashtë këtij komisioni. Përbërja e re mbetet të marrë aprovimin e deputetëve në Kuvend.


    Jo shumë kohë pasi i kishte shkuar në zyrë, për t’i dhuruar një top basketbolli, Ministri i Drejtësisë Selim Selimi e kishte propozuar Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezin që të jetë serish kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

    Përveç Lumezit, Ministri Selimi, në fund të muajit gusht të këtij viti, përmes një konferencë për media kishte bërë publike se anëtarë të të njëjtit komision, për mandat 2 vjeçar, i ka propozuar Prokurorin Besim Kelmendi, Kryetarin e Gjykatës së Apelit Hasan Shalën, Gjyqtarin Rafet Haxha, Nebojsha Borishiq, Kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës Aferdita Bytyqin, dhe Kryetarin e Gjykatës Supreme Enver Pecin.

    Por, disa javë më pas, në mbledhjen e 36 të Qeverisë së Kosovës, Ministri Selimi ka propozuar për votim nga ekzekutivi një përbërje pothuajse krejtësisht ndryshe, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Pikërisht, Enver Peci, që fillimisht ishte propozuar vetëm si anëtar i këtij komisioni, tash emri i tij i është miratuar në Qeveri e dërguar për votim në Kuvend të Kosovës për të qenë kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Duku u zëvendësuar me propozimin që ishte bërë publik në gusht të këtij viti, që Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi të drejtojë edhe për 2 vite tjera këtë komision.

    Enver Peci, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës

    Madje, Lumezi, jo vetëm që nuk është propozuar e miratuar për kryetar të këtij komisioni, por ai është lënë edhe jashtë propozimit për të qenë anëtar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, shkruan Reporteri.net.

    Sikur nga propozimi që Lumezi të jetë shef dhe anëtar i Komisionit në fjalë, Ministri Selim Selimi ka hequr nga dorë edhe nga propozimet që Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, prokurori Besim Kelmendi, dhe gjyqtari Rafet Haxha të jenë në përbeje të këtij komisioni. Ky i fundit është propozuar vetëm si zëvendësanëtar i juristit Dastid Pallaska emri i të cilit është zëvendësuar me propozimin që Haxha të jetë anëtar në komisionin për Jurisprudencë. Derisa, në përbërjen e re të komisionit është propozuar edhe Izal Ramajli.

    “Qeveria ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për Anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në përbërje: 1. z. Enver Peci, Kryetar i Komisionit, pyetës i lëndës e drejta Penale dhe zëvendës anëtar i Komisionit z. Vaton Durguti; 2. z. Dastid Pallaska, anëtar i Komisionit , pyetës i lëndës E drejta Civile (materiale dhe procedurale) dhe zëvendës anëtar Rafet Haxha; 3. z. Nebojsa Boricic, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta Tregtare dhe zëvendës anëtar Mahir Tutuli; 4. znj. Aferdita Bytyqi, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta Kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësor të Kosovës, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të Drejtat e Njeriut dhe zëvendës anëtar z. Ćerim Fazliji; 5. z. Ilaz Ramajli, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta e Punës dhe E drejta Administrative dhe zëvendës anëtare znj. Shqipe Qerimi”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë, i datës 19 tetor 2020, që deri më sot është kaluar pa vëmendje, për dallim nga propozimet e para që kishin shkaktuar shumë zhurmë.

    Propozimet do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe më pas miratim nga Deputetët.

    Për dallim nga hera e parë kur në konferencë për media kishte njoftuar propozimin që Lumezi të jetë kryetari i Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencë, Ministri i Drejtësisë Selim Selimi, këtë herë nuk ka folur ende në publik për ndryshimin e përbërjes së propozimeve të tij, e as për miratimine tyre në Qeveri.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka provuar që të marrë prononcim nga ai në lidhje me këtë çështje, por Selimi të hënën nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!