×
  • Lajme
  • Lajme / Problemet me rrymë

    Ministria e Ekonomisë i bën thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike: Sistemi ynë është ngarkuar tej mase

    Reporteri
    25 Dhjetor 2024 | 10:47

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se mbrëmë vonë ka mbajtur takim të përbashkët me KOSTT dhe KEDS për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.

    Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media, bën të ditur se, KOSTT dhe KEDS kanë raportuar se, “me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”

    “Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

    Tutje kjo ministri njofton se gjatë javës në vijim pritet të përfundohet ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, që sipas tyre, pritet të zgjidh problemet me energji elektrike në këtë komunë.

    “Probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.

    Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion”, thotë Ministria.

    Gjithashtu thuhet se për ditët e festave të fundvitit janë më kritike sa i përket furnizimit me energji, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me konsumin e energjisë, paradite e pasdite në periudha të caktuara kohore.

    “Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.

    Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit.

    Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë.

    Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!