Ministria e Mbrojtjes ka dhënë tenderin në vlerë 2.3 milionë euro për ndërtimin e pistës dhe infrastrukturën përcjellëse në Aeroportin e Gjakovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në e-Prokurim, për këtë tender janë pranuar ofertat e katër kompanive, e që në fund është shpallur fitues grupi i kompanive “REA SH.P.K; Granit SH.P.K; CALL HOME ELECTRONICS SH.P.K”. Ndërkohë, oferta më e lartë ka qenë 3 milionë e 584 mijë e 207 euro.
Sipas Ministrisë, këto ndërhyrje po bëhen me qëllim të ngritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave sipas misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“AK i MM, ka për qellim qe të lidhe një kontratë me një OE, qe do të ketë kapacitet të kryej ‘’Ndërtimi e pistes dhe infrastruktura percjellse ne AGJ- Gjakove Ndërtimi duhet të behet sipas specifikimit teknik te kërkuar( paramases dhe parallogairse dhe projektin të përcaktuar në dosjen e tenderit me qellim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së”, thuhet në dosje.
Një grup i kompanive ka pasur ofertë me çmim më të ulët, mirëpo ëshë shpallur si tender i papërgjegjshëm, për mos plotësim të kërkesave të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Vlera totale e kontratës është 2 milionë e 385 mijë euro.
“ Pagesat do të bëhen në Euro. Pagesat qe duhet te bëhen sipas faturës se lëshuar nga Kontraktuesi do të bëhen në llogarinë bankare të dhënë në Pjesën V, Identifikimi Financiar, i kësaj kontrate që e plotëson Kontraktuesi. I njëjti formular, që i bashkëngjitet kërkesës për pagesë, duhet të përdoret për t’i raportuar ndryshimet në llogarinë bankare”, theksohet në dosje.
Aty specifikohet se shumat duhet të paguhen brenda jo më shumë se 30 ditëve nga data në të cilën kërkesa e pranueshme për pagesë është regjistruar nga departamenti përkatës. Data e pagesës do të jetë data në të cilën debitohet llogaria e institucionit.
Aeroporti i Gjakovës, pas luftës është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.
Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.
Në dhjetor të atij viti, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.
Gjashtë vjet më vonë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, aeroporti i është dhënë në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës./Reporteri.net