×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Shëndetësisë tregon se a duhet të respektohen masat anti-COVID nga personat që tashmë janë vaksinuar

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 15:29

    Procesi i vaksinimit, ndonëse më së voni në Evropë, më në fund ka filluar edhe në Republikën e Kosovës.
    Bashkë me vaksinat, në vend ‘erdhën’ edhe masat e reja parandaluese për përhapjen e coronavirusit në vend. E këto masa duhet të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë, ani pse disa tashmë janë të vaksinuar.


    Bartja e maskës, respektimi i distancës fizike dhe të gjitha masat tjera kufizuese të cilat parandalojnë përhapjen e virusit SARS CoV-2, të vendosura nga Qeveria e Kosovës, duhet të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë qytetarët, shkruan Reporteri.net.

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, se të gjitha masat që janë në fuqi, duhet të respektohen edhe nga personat e vaksinuar.

    Kjo për shkak që sipas tyre, imuniteti fillon të zhvillohet dy javë pas marrjes së vaksinës.

    “Edhe ata që vaksinohen duhet t’i respektojnë masat, sepse imuniteti fillon të zhvillohet sipas disa studimeve pas dy javëve pas marrjes së dozës së vaksinës.”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MSH-së.

    Sipas MSH-së, masat duhet të zbatohen deri atëherë kur të arrihet imunizimi i plotë dhe të merren të dy dozat e vaksinës.

    “Çdo person që nuk e ka arritur ende imunizimin e plotë dhe nuk i ka marrë të dy dozat, duhet të mbrohet përmes zbatimit të masave anti-COVID.”, kanë thënë nga MSH për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Ndërkohë Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, të martën ka publikuar vendimin e fundit lidhur me masat e reja anti-COVID.

    Sipas vendimit të Qeverisë, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën, vazhdon të mbetet obligative.

    Përjashtime mund të ketë në rastet gjatë ngasjes së veturës vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapimit dhe çiklimit, gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se katër persona të të njëjtës familje.

    Ndryshe, të dielën e 28 marsit në Kosovë ka arritur kontigjenti i parë me vaksina anti-COVID të AstraZeneca.

    24 mijë dozat e para të vaksinës, janë donacion nga UNICEF, ndërkaq COVAX ka premtuar 100 mijë e 800 vaksina falas për Kosovën.

    Procesi i vaksinimit filloi më 29 mars, ku i pari që u vaksinua është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar më pas me personelin shëndetësor, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!