Në rreth 6 ose 7 tentativa ka dështuar Ministria e Infrastrukturës që të nënshkruajë kontratë për tenderin e sinjalistikës brenda këtyre dy viteve. Gjatë gjithë këtyre tentativave është shkelur ligji.
Së fundmi, MIT e ka pranuar përsëri që ka bërë shkelje në rivlerësimin e këtij tenderi, konkretisht për pjesën e dytë dhe të tretë të tenderit, pasi pjesët tjera janë realizuar në vitin e kaluar. Ndërkohë, e ka anuluar krejt tenderin
Qe dy vite, MIT herë e shpallë një fitues herë një tjetër, por nuk po arrin të nënshkruajë asnjë kontratë për lot 2 dhe lot 3. Organet kompetente të Ministrisë nuk po marrin asnjë hapë ndajë zyrave të tyre që po lëshojnë vendime kundërthënëse. Ndërkohë, ky tender është bazë mese e mjaftueshme për të nisur hetimet për të edhe nga ana e institucioneve të tjera ligjore.
Lajmi.net para pak ditësh ka raportuar se MIT është duke e shkelur në vazhdimësi ligjin për tenderin e sinjalistikës, konkretisht për lot 2 e 3, po ashtu, e kishte shkelje edhe pas rivlerësimit kur ishte rekomanduar për kontratë kompania “Sinjali”.
Pas publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës, ku u rekomandua për kontratë kompania “Sinjal”, pranë autoritetit kontraktues janë ankuar kompanitë garuese “ITK” shpk, “RSM Company” shpk dhe kompaninë në konzercium “Dorearti” shpk, & “Beni Com” shpk & “Lindi Marking”, duke pretenduar se prokurimi i ministrisë e ka shkelur ligjin disa herë kur e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Sinjal RKS”.
Pas ankesës, MIT e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit deri në shqyrtimin e ankesave. Pezullimi është bërë me datë 21 nëntor.
Më datë 27 nëntor, Zyra e prokurimit të ministrisë ka nxjerrë vendim të ri. Ka aprovuar ankesën e kompanive. Me këtë rast e ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës. Kësisoj e ka pranuar se komisioni i vlerësimit ka bërë shkelje.
“I. Aprovohet ankesa e OE “RSM Company”, OE “ITK” dhe OE “Dorearti” & “Beni Com” & “Lindi Markings”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. II. Anulohet Njoftimi për dhënie të kongres i AK –Ministria e Infrastrukturës lidhur me aktivitetin e prokurimit “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale = 168 lot 2 dhe lot 3. MIT vazhdon me tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në vendimin e zyrës së prokurimit të Ministrisë.
Siç thuhet në këtë dokument të ministrisë, kompania ishte ankuar se komisioni i vlerësimit të MIT kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në këto pika: neni 1.1 –Qëllimi, neni 59.4 – ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve. Neni 69 – aftësitë teknike dhe profesionale. Ministria ka pranuar se ka bërë këto shkelje.
Edhe “ITK”, sipas ministrisë është ankuar për shkeljen e nenit 59 – ekzaminimi.
Ndërsa, kompanitë “Dorearti” & “Beni Com”& “Lindi Markings”, ishin ankuar për këto shkelje të LPP-së: neni 1 – qëllimi, neni 7 –barazi në trajtim /jo- diskriminim, neni 28 – specifikimet teknike, neni 59, ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 –kriteret për dhënie të kontratës, neni 72 – dokumentacioni dhe informacioni shtesë.
Me këtë rast MIT e ka kthyer lëndën në rivlerësim përsëri. Por Komisioni i ri ka vendosur që ta anulojë krejt procedurën e prokurimit për këto dy pjesë te tenderit. Ky komision ka arsyetuar se ka pasur shkelje të ligjit gjatë hartimit të specifikave në ‘njoftimin për kontratë’, specifika të cilat nuk mund të rregullohen.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit anulon këtë aktivitet të prokurimit. Pas hapjes së tenderëve një shkelje e LPP-së ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit: Me datë 01. 08. 2017 është publikuar njoftimi për kontratë, ndërsa me datë 21.08.2017, 31.08.2017, 04.09.2017, 07.09.2017 dhe 11.04.2018 është bërë korrigjimi i njoftimit për kontratë, mirëpo dosja e tenderit nuk është korrigjuar asnjëherë. Me korrigjimin e datës 04. 09. 2019, i cili ka pasur më së shumti ndryshime në ‘njoftimi për kontratë shtesë’, ose ‘përmirësim i gabimit’ neni IV. 2.3 Teksti i cili duhet të përmirësohet /shtohet njoftimi origjinal (nëse aplikohet) cekët”, thuhet në vendin për anulimin e këtij tenderi.
Tenderi ishte anuluar edhe disa herë të tjera, me arsyetimin se nuk ishte asnjë ofertë e përgjegjshme, e herë pa ndonjë arsyetim. Por, OSHP-ja e kthente në rivlerësim duke konstatuar se nuk kishte bazë faktike që lënda të anulohet.
Lidhur me vendimin e marrë nga ministria, tri kompani janë ankuar përsëri tek autoriteti kontraktues, por zyra e prokurimit e ka hedhur poshtë ankesën e tyre. Tash këto kompani, siç ka mësuar lajmi.net do të ankohen përsëri në OSHP.
Me gjasë këtë herë OSHP-ja do të miratojë vendimin e ministrisë, nëse do të ketë ankesa, pasi një bazë të tillë ia kishte përgatitur vet, në vendimet e tjera, kur konstatonte se duhet të ketë bazë ligjore më të madhe për ta anuluar tenderin.
Shkeljet e njëpasnjëshme
I gjithë tenderi, me të gjitha lotët kap vlerën e rreth 2.2 milionë eurove për një vit. Derisa pjesët tjera të tenderit ishin realizuar me sukses nga Ministria. Më datë 06.04.2018, Zyra e Prokurimit të MIT-së e kishte shpallur fitues për dy lote kompaninë “Select Prima”, për lot 2, lot 3.
Më pas ka pasur ankesa vazhdimisht në OSHP për lot 2 dhe 3. OSHP kishte marrë vendim që tenderët të ktheheshin në rivlerësim, pasi kishte miratuar ankesat e kompanive ankuese duke konstatuar kështu shkelje të ligjit. Ministria e kishte zbatuar këtë vendim dhe më 20.06. 2018, për lot 2 përsëri e kishte shpallur fitues “Selct Prima”, ndërsa për lot 3, grup i Operatorëve Ekonomik: “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.
Përsëri ka pasur ankesa në OSHP nga kompanitë ankuese me të njëjtat pretendime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë Ministria nuk ka mundur të nënshkruajë kontratën, pasi lënda ka përfunduar në OSHP. Ky organ ka konstatuar shkeljet e njëjta dhe ka lëshuar urdhëresë që të zbatohet vendimi i vet. Ministria e ka anuluar njoftimin e vet dhe ka mbajtur në rivlerësim tenderin për 4 muaj për lot 2 dhe 3. Më datë 24.08. 2018, ka bërë njoftim për ‘dhënie të kontratës’, pasi e kishte rivlerësuar tenderin, dhe përsëri i kishte shpallur “Select prima” fitues për lot 2 dhe për lot 3 grupin e operatorëve ekonomik “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.
Përsëri ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të njëjta. Dhe përsëri OSHP-ja ka marrë vendim të njëjtë, që lënda të kthehet në rivlerësim dhe mos të shpërblehen me kontratë ato kompani për lot 2 dhe 3, pasi ishin të papërgjegjshme.
Në fillim të muajt prill, Ministria ka lëshuar njoftim për ‘anulimin e aktivitetit të prokurimit’ për lot 2 dhe lot 3, me arsyetimin se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, ani pse disa herë kishte shpallur fituesit duke i cilësuar kompanitë si të përgjegjshëm. Tash, Ministria e ka përdorur të njëjtin arsyetim sikurse të kompanive ankuese kur e ka eliminuar nga gara kompaninë “Select Prima” për lot 2 dhe “Arbotec” & “Malsija”.
Asnjëra prej kompanive nuk është pajtuar që të anulohet tenderi dhe përsëri janë ankuar në OSHP. Më 19 qershor OSHP-ja ka aprovuar ankesat e kompanive dhe e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktuese që ta anuloi njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimi dhe lënda të kthehet në rivlerësim, kundruall vendimeve të më hershme të OSHP-së, pasi konsideronte se nuk janë krijuar kushtet që të anulohet i tërë procesi, ka konsideruar se ka bazë ligjore për të shkuar më tutje.
Ministria vendosi që ta zbatojë këtë vendim që lëndën ta kthejë në rivlerësim. E mbajti disa muaj në rivlerësim tenderin. Fillimisht, kërkoi zgjatje të validitetit të ofertave si një kategori ligjore. Ndërsa më datën 15. 11. 2019, zyra e prokurimit të MIT doli me njoftimin për dhënie të kontratës, ku shpalli fitues kompanitë “Sinjal RKS”, e cila është në konzorcium me kompanitë nga Shqipëria “IDK Kondtruksion & 2T”.
Kompania “Sinjali” e papërgjegjshme, e përgjegjshme, përsëri e papërgjegjshme
Në të gjitha rivlerësimet tjera për këtë tender për lot 2 dhe lot 3, komisioni i ministrisë e kishte shpallur si të papërgjegjshme ofertën e kompanisë “Sinjal RKS”.
Për shembull, në vendimin e datës 08.04. 2019, kur e kishte shpallur si të pa përgjegjshme këtë ofertë, kishte shkruar se hedhet poshtë oferta e tyre pasi që “Në dosjen e tenderit tek Fleta e të dhënave Neni 13.1 është kërkuar, sigurimi i tenderit sipas Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ Neni 39. Sqarimi i Tenderëve. Nëse sigurimi i tenderëve nuk përmban kushtet e përcaktuara sipas formës standarde pjesa e dosjes së tenderit, refuzo tenderin pa kërkuar informacione të mëtutjeshme.”
Edhe në vendimin datës 16. 07. 2019, Ministria i kishte vlerësuar përsëri të gjitha ofertat si të papërgjegjshme. Ndryshe nga hera e kaluar, tash e kishte dhënë një arsye shumë më të fuqishme kur e kishte anuluar ofertën e “Sinjal RKS”. Komisioni i ministrisë kishte vlerësuar se kjo kompani ka ofruar çmime manipulative, në pjesën e 2 pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 0.80 euro, 1.2 ka ofruar çmim 0.80 euro dhe pjesa 3, pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 1.10 euro, 1.2 ka ofruar çmim 1.10 euro, gjithashtu në pjesën 2 në pozicionin 1.4 ka ofruar çmim 0.15 euro, etj.
Lajmi.net ka kërkuar informacione nga MIT lidhur me vendimet e ndryshme të komisionit vlerësues, si dhe qasje në paramasat e ofertës së kompanive të rekomanduar për kontratë për lot 2 dhe lot 3, por zyra e informim të MIT ka thënë se këto informata mund t’i bëjë të ditura kur të përfundojë procesi.
“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike, të pranuar më 18 nëntor 2019, ju informojmë si në vijim: Ky proces është në prokurim dhe, në momentin e përfundimit të procedurave të prokurimit, do të ju njoftojmë rreth qasjes në dokumentet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e MIT për lajmi.net.
Në vendimin e fundit të ministrisë, kur ishte rekomanduar për kontratë kompania “Sinjal RKS”, thuhet se ka qenë oferta më e lira e përgjegjshme sesa e dy kompanive të tjera të përgjegjshme “Sinjal Papemburgu Ardiani” dhe “RSM Company”, ndërsa kompanitë si “Select Prima”, “Doreart”, “Arbotec Malsija”, “ITK” etj, janë eliminuar si të papërgjegjshme.
Megjithëkëtë, lajmi.net ka arritur të shohë paramasat kompanisë “Sinjal RKS” për lot 2, dhe kjo kompani është më e shtrenjtë se oferta e kompanisë “RSM Company”, e cila në vendimin e fundit është shpallur si e përgjegjshme, por më çmim më të shtrenjte, ndërkohe kjo kompani në të gjitha vlerësimet ishte shpallur si e papërgjegjshme.
Sipas paramasve “Sinjal” për lot 2, ka ofertë të përgjithshme në vlerë prej 321 mijë euro, që për tri vite del shuma prej 963 mijë euro. Për lot 3 e ka ofertën në vlerë prej 431 mijë euro, që për tri vite i bie 1 milion e 293 mijë euro, ose mbi 2.2 milionë euro për tri vite të dy ofertat.
Sipas paramasave të tjera që i ka parë lajmi.net, për lot 2, kompania “RSM” ka pasur ofertë në vlerë prej 227 mijë euro, për tri vite 618 mijë euro, ose 345 mijë euro më lirë sesa oferta e Sinjalit. Për lot 3, “RSM| ka ofertë në vlerë prej 257 mijë e 199 euro, për tri vite 771 mijë e 597 euro, ose 520 mijë euro më të lirë se të Sinjalit. Pra, buxheti të cilin do e keqpërdorte ministria do të ishte 865 mijë euro, pasi që kaq është shuma e “RSM Company” se për tri vite më e lirë se e Sinjali në të dy ofertat.
Sa do që është shpallur si e papërgjegjshme në vendimin e fundit të komisionit, edhe “Select Prima” ka pasur ofertë më të lirë për lot 2, në vlerë prej 253 mijë euro për një vit. 759 euro për tri vite. Për lot 3 ka ofertë 148 mijë e 682 euro, ose 446 mijë euro për tre vite. Kjo kompani ishte shpallur fituese dy herë nga MIT, dhe lajmi.net kishte raportuar për afërsinë e një zyrtari të MIT me këtë kompani, por më pas ishte shpallur e papërgjegjshme në vendimet e MIT.Megjithëkëtë, kjo kompani është duke punuar në disa pjesë të Kosovës, pasi kishte arritur ta fitonte lot 8.
Edhe kompania tjetër që është duke punuar në dy lote, kompania “ITK” e ka pasur ofertën më të lirë për lot 2, ose 183 mijë euro për një vit, për tri vite 549 mijë euro. Për lot 3 ka ofertë totale për një vit 188 mijë e 530 euro, që kap vlerën 565 mijë euro për tri vite. Të dy ofertat kapin vlerën 1.1 milion euro, ose mbi 1 milion euro më lirë se e kompanive të rekomanduar për kontratë. Por, kjo kompani në është shpallur e papërgjegjshme për shkak, siç është thënë, numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve.
Janë mbi 700 kilometra rrugë që bien në përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës për të cilat nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për mirëmbajtjes e sinjalistikës së tyre qe rreth dy vite, në pjesën lot 2 dhe lot 3.