Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar padi ndaj televizionit publik të Kosovës, pas fabrikimit të një lajmi të rrejshëm për prokuroren nga Peja, Valbona Disha- Haxhosaj.
Haxhiu këtë paralajmërim e ka bërë nëpërmjet një shkrimi në Facebook.
Ajo ka theksuar se nuk është kundër artikujve kritik, por sipas saj lajmi i RTK-së, është ‘Fake News’
“Me qëllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështetjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar”, ka shkruar Haxhiu.
Në lajthitje të këtij lajmi të rremë të shpërndarë nga portali i RTK-së kanë rënë edhe shumica e mediave tjera serioze në vend të cilat e kanë transmetuar lajmin.
RTK fabrikon lajm të rremë dhe denigrues për prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj
Sipas RTK-së, Prokurorja në fjalë është shpërblyer me këtë post nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për arrestimin e Kryetarit të Istogut, Haki Rugova.
Por e vërteta qëndron ndryshe.
Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj në karrierën e saj jo që asnjëherë nuk është shpërblyer për punën e guximshme të saj, përkundrazi ajo është sulmuar penguar në disa raste dhe është sulmuar vazhdimisht nga grupet kriminale shkaku i punës së saj në zbardhjen e disa prej krimeve më të rënda në vend.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’, në nëntor të vitit 2019, kishte botuar një profil të kësaj prokuroreje me titullin “Prokurorja sypatrembur nga Peja që zbardhi vrasjen 100 mijë frangëshe”.
Prokurorja sypatrembur nga Peja që zbardhi vrasjen 100 mijë frangëshe
Pikërisht ky artikull kritikonte institucionin e Kryeprokurorit të Shtetit për mos avancim të Valbona Disha-Haxhosaj përkundër punës së saj shembull.
“Nëse dikush do të duhej të dekorohej apo ngritej në detyrë, nga institucioni i saj, atëherë padyshim që Prokurorja nga Peja Valbona Disha-Haxhosaj do ta meritonte. Guximi i kësaj gruaje, nën presionin e kërcënimeve me jetë të burrit dhe fëmijëve të saj, 5 vite pasi ndodhi një vrasje e porositur me 100 mijë franga zvicerane për t’u kryer, argumentoi deri në fund në Gjykatën Themelore të Pejës se 4 personat që ajo ndoqi për këtë rast janë kryerësit e krimit që u ekzekutua në pusi. Mirënjohje e avancime deri tash Kryeprokurori ka ndarë vetëm për prokurorët si Sylë Hoxha, Haxhi Dërguti e Imer Beka, që “të bëmat” e tyre të gjithë i njohim. E për diçka të tillë ende si ka ardhur rendi t’i jepet Valbonës, që zellin dhe guximin e saj për të luftuar krimin të paktën në dy raste të bujshme e ka dëshmuar”, shkruante Reporteri.net, në vitin 2019.
Tutje, artulli tregon se si mijëra franga zvicerane u paguan për një vrasje dhe mijëra franga tjera u provuan t’i jepen ryshfet, përmes njerëzve autoritativë në Kosovë, një prokuroreje që ta mbyllë rastin. Por, Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj çoi deri në fund misionin e saj për të vënë para drejtësisë dhe për të dënuar grupin kriminal prej katër personash nga Gjakova dhe Deçani.
Për guximin e saj, përveç se iu ofruan para, e njëjta u kërcënua edhe me djegien e fëmijëve të saj dhe kidnapimin e bashkëshortit. Të gjitha këto u dëshmuan e u dëgjuan në gjykatë, shkruan Reporteri.net.
“Ata fillimisht duke planifikuar kidnapimin e bashkëshortit tim, e pastaj duke mos kursyer as më të shenjtit e secilit prind –fëmijët”, kishte pohuar prokurorja në një nga shqyrtimet gjyqësore. E efekti i këtyre kërcënimeve ishte zero. Valbona Disha-Haxhosaj vazhdoi punën e saj, pa iu trembur syri.
Postimi i plotë i ministres Haxhiu:
“Nuk jam aspak kundër lajmeve e artikujve kritikë, por vërtetë janë bërë shqetësuese artikujt pa asnjë fakt e argument që për bazë kanë vetëm paragjykimin e trillimin. Lajmit të sotëm publikuar në RTK me titull: ‘’MINISTRJA HAXHIU SHPËRBLEN PROKUROREN QË E ARRESTOI HAKI RUGOVËN’’ nuk mund t’i them asgjë tjetër përveç ‘Fake Neës’.
Në Republikën e Kosovës askush nuk mund të ndalojë të drejtën e shprehjes, mendimit të lirë, por prapa kësaj të drejte nuk mund ta fshehim dezinformimin sikur ky artikull. Liria e shprehjes nuk nënkupton asesi cenimin dhe sulmin pa bazë ndaj një personi, kushdo qoftë ai.
Me qëllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar.