×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-ministrja e Kurtit: Marrëveshja e djeshme nuk është as ekonomike as ndërkombëtare

    Reporteri
    06 Shtator 2020 | 0:12

    Ish-ministrja e Ekonomisë në Qeverinë Kurti, Rozeta Hajdari, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar dje në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka elemente të marrëveshjes ekonomike dhe as nuk është marrëveshje ndërkombëtare.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hajdari ka thënë se ato dokumente të nënshkruara janë vetëm deklarata të njëanshme dhe janë jo detyruese.

    Sipas saj, përmbajtja e këtyre deklaratave është shumë politike.

    Ky është postimi i saj i plotë:

    Të dashur Qytetarë,

    Si ish ministre e ekonomisë, dua t’iu njoftoj se Marrëveshja e djeshme e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka  elemente të marrëveshjes ekonomike dhe as nuk është marrëveshje ndërkombëtare.  Siç shihet, dokumentet janë të nënshkruara ndaras dhe nuk ekziston ndonjë dokument tjetër me nënshkrimet e liderëve nga të dy vendet. Ata kanë nënshkruar dokumente veç e veç dhe kjo tregon shumë.

    Në të vërtetë këto janë vetëm deklarata të njëanshme, siç quhen në diplomaci dhe janë jo detyruese. Edhe pse insistohet të konsiderohet si marrëveshje ekonomike, megjithate përmbajtja e këtyre deklaratave është shumë politike.

    Por pse u bë krejt kjo dhe çka u arrit me këtë? Aleatët tonë ndërkombëtarë,  që luftuan për ne ( mjafton të kujtojmë vetëm deklaratat e Presidentit  Bill Klinton dhe Kryeministrit Tony Blair me 10 Qershor 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Paqës për ne) dhe tutje që na mundësuan shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së shtetit tonë, për 20 vite me radhë janë duke kërkuar nga ne, që të ndërtojmë shtetin sa më shpejtë dhe t’i zgjidhim problemet tona, veçanërisht ato ekonomike.

    Por ne me klasën tonë politike, nuk kemi kryer detyrat tona ndaj shtetit tonë. Ne jemi treguar të pa aftë dhe të papërgjegjshëm. Pasi iniciativat nga pala jonë kanë munguar, atëherë jemi që të përgjigjemi në iniciativat e të tjerëve. Nëqoftëse as për këto nuk jemi të përgatitur dhe të aftë për tu përgjigjur, atëherë sipas rregullit, me të drejtë as që do të na pyesin. Sepse aleatët tonë, nuk lejojnë de stabilitetin e vendit tonë për të cilin kanë luftuar.

    Kjo që ndodhi dje, pra ishte pasojë e paaftësisë së klasës sonë politike të korruptuar e cila jo vetëm që dështoi në mbrojtjen e interesave të shtetit tonë, por edhe e shfrytëzoi këtë për propagandë për të qëndruar edhe më tej në mënyrë të paligjshme në pushtet.

    Përmbajtja e dokumentit i cili u modifikua dhe u finalizua me kërkesën e palës serbe, është krejtësisht politike dhe shumë e dëmshme për ne.

    Porosia e Presidentit Bill Klinton “Ne e fituam luftën, Ju fitoni Paqen” nuk është realizuar ende. Kemi shumë punë për shtetndërtim, të dashur Qytetarë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!