×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja Haradinaj i kërkon BE-së dhe presidencës gjermane liberalizimin e vizave për Kosovën

    Reporteri
    29 Tetor 2020 | 8:34

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar se mbrëmë ka qenë pjesëmarrëse e panelit ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, nga ku i ka kërkuar BE-së liberalizimin e vizave për kosovarët.


    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se ka marrë pjesë në këtë panel me ftesë të Ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Heiko Maas, nën moderimin e Ministrit Gjerman të Shtetit për Evropë Michael Roth.

    Postimi i plotë:

    Pata kënaqësinë mbrëmë të jem pjesëmarrëse e panelit Ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me temë “Të Rinjtë, Migrimi dhe Sfidat Demografike në Ballkanin Perëndimor”, me ftesë të Ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Z. Heiko Maas, nën moderimin e Ministrit Gjerman të Shtetit për Evropë Z. Michael Roth.

    Në fjalën time ndava me pjesëmarrësit realitetin e Kosovës si vendi më i ri e me popullsinë më të re në Evropë, dhe i ftova të shfrytëzojmë bashkë potencialin e lartë të Kosovës dhe rinisë së mrekullueshme të saj, duke u bashkuar në iniciativën tonë për të themeluar në Prizren një Qendër Rajonale për Start-up dhe Inovacion.

    Poashtu theksova se Ballkani Perëndimor duhet të mirënjoh realitetin brenda vetes së pari, para se të kërkojë integrim të mëtejmë në strukturat eurointegruese. Vetëm mbi parimin e barazisë do të mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët.

    Në fund, nuk kisha se si të mos e theksoj mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar nga Presidenca Gjermane dhe BE-ja veprim strategjik dhe vendosmëri për të përqafuar afër vetes rininë e jashtëzakonshme kosovare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!