Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga institucionet që siç ka thënë ajo po e pengon “reformën në drejtësi, por edhe në fushat tjera”.
Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë e akuzoi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si penguese të reformave të Qeverisë, shkruan gazeta online Reporteri.net/
“Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera.
Këtë po e them sepse opozita po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi qoftë në aspektin ekonomik financiar dhe ato që kanë të bëjnë me administratën publike. Vetë fakti që ligji thotë që Gjykata për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, të trajtohen brenda dy muajve dhe në anën tjetër ne presim deri në një vit për ta marrë një aktgjykim të Kushtetuese natyrisht se kjo paraqet problem sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që të them ne mund ti përfundonim para një viti, jemi të detyruar të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetues”, u shpreh Haxhiu në konferencën për media.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të pushtetit e kanë cilësuar Gjykatën Kushtetuese si “aleate të opozitës”.
Javën e kaluar edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka kritikuar punën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet ta dërgojnë edhe draft-statutin e Asociacionit, duke thënë se organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë “është i njohur për marrjen e vendimeve të diskutueshme”.
Bislimi ka thënë se Gjykata Kushtetuese është e njohur në vendimet kontraverze.
“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti.
“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil”, ka thënë Bislimi.
“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, është shprehur ai. /Reporteri.net/