Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Për çështjen e (mos) zgjedhjes së kryeporkurorit të ri të shtetit së fundmi është deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila duke ju përgjigjur pyetjeve që i janë bërë në Instagram, ka deklaruar se procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit janë përgjegjësi e Këshillit Prokurorial, por ka shtuar se Kosovës i duhet një kryeprokuror i guximshëm, shkruan Reporteri.net.
“Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit janë përgjegjësi e Këshillit Prokurorial. E rëndësishme për ne është që ky proces të jetë transparent dhe meritor dhe jo sikur ka ndodhur në të kaluarën. Kosovës i duhet një kryeprokuror i guximshëm, kompetent dhe me integritet”, ka thënë ministrja Haxhiu, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor të vitit 2023, kishte thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.
Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.
E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Por, pavarësisht se presidentja e Kosovës kërkoi që Këshilli Prokurorial i Kosovës, të propozojë emër të ri, duke u bazuar në merita dhe transparencë, Këshilli dërgoi sërish emrin e Blerim Isufajt.
Emri i Isufajt, qëndroi nga prilli i 2022 deri në tetor të 2023, në zyrën e Presidentës, nën arsyetimin se ky proces ka qenë duke u trajtuar nëpër gjykata, meqë u kontestua nga kandidatët që ishin në këtë konkurs.
Kështu që pozita më e lartë në sistemin prokurorial, edhe në 2023 mbeti me ushtrues detyre.
Këtë detyrë e kreu, dhe vazhdon ta kryejë Besim Kelmendi.
Vetë Blerim Isufaj, asnjëherë nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, derisa nga 1 janari i 2024, do nisë mandatin e dytë si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, derisa pret përgjigjen për herë të dytë nga presidentja. /Reporteri.net/.