Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendim për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.
“Sipas këtij vendimi, përcaktohet: – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në dy (2) eurocentë për litër dhe – marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet edhe se vendimi i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masat mbrojtëse, të përcaktuara.
“Poashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Ky vendim është një hap tutje drejt promovimit të konkurrencës së ndershme të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, duke parandaluar sjelljet antikonkurruese, duke siguruar transparencë dhe kushte të barbarta në tregun e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi./Reporteri.net