×
  • Lajme
  • Lajme / Përfundimi i mandatit

    Miroslav Lajçak, emisari i Dialogut pa finale dhe i përplasjeve të mëdha me Kurtin

    Autor:Lira Klaiqi
    07 Janar 2025 | 15:32

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në më 31 janar e përfundon mandatin e tij.

    Diplomati sllovak që në fillim të viti 2020 mori ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për katër vjet bëri shumë përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me histori të gjatë konflikti e lufte, për ta përfunduar mandatin pas tre javësh.

    Nëse jo për marrëveshjen historike, ai do të mbahet mend si njeriu që e futi në dialog “pa kushte” Kryeministrin Albin Kurti, njeriun që për një dekadë ishte kundërshtari më i madh i dialogut.

    Me ndërmjetësimin e tij Kosova e Serbia, arritën disa marrëveshje por zbatimit i tyre në praktikë hasi në telashe.

    Gjatë ndërmjetësimit të tij dhe Borrellit, që korrespondoi edhe me ardhjen e kreut të VV-së, Albin Kurti, në pushtet, Kryeministri kosovar shkoi në dialog me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pa iu plotësuar kushtet që ai vetë si opozitar i kishte vënë.

    Takimi i parë i nivelit të lartë – Kurti-Vuçiq – u zhvillua më 15 qershor 2021, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell dhe të dërguarit të tij Miroslav Lajçak.

    “Pesë lloje të kushteve që Kosova duhet me ja paraqitë Serbisë. Kushti i parë juridik dhe legal, Serbia duhet me e ndryshu Kushtetutën e saj dhe me e pranu pavarësinë e Kosovës. Kushti i dytë, humanitar dhe moral, Serbia duhet me na i kthy të pagjeturit edhe me na kërku falje për krimet e kryera. Kushti i tretë i drejtësisë me na i dorëzu ata mijëra kriminelë që i kanë bë vrasje dhe dhunimet e torturat në Kosovë. Kushti i katërt është politik – Serbia duhet me pushu me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe financimin e dirigjimin e strukturave ilegale në veri dhe gjetiu. Kushti i pestë është i zhdëmtimit. Pa plotësimin e këtyre pesë lloje të kushteve, ne nuk kemi më pse të dialogojmë”, deklaronte Kurti sa ishte opozitar.

    Por kushtet, Kurti në takimin e parë i shndërroi në katër propozime, të cilat u refuzuan nga pala serbe.

    Propozimi i parë ishte për avancim të CEFTA-s. Propozimi i dytë ishte Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes ku ne zotohemi se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën. Propozimi tjetër ishte për çështjen e të pagjeturve si dhe propozimi i fundit ishte për krijimin e Këshillit nacional për serbët.

    Megjithatë, më vonë i dërguari evropian gjatë tentimeve për zbatimin e marrëveshjeve dhe normalizimin e raporteve u përballë edhe me shumë akuza nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njerëzit e partisë së tij të cilët e “identifikuan” se është pozicionuar kundër Kosovës.

    Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator 2023 tha se në rundin e fundit të dialogut, Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës, duke shtuar se ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”.

    Kurti kishte thënë se dukej një koordinim mes Vuçiqit dhe Lajçakut për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

    Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.

    Madje, akuzat ndaj Lajçakut i detyruan të reagojnë edhe zyrtarë të lartë të SHBA-së.

    Gabriel Escobar, ish-emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kërkoi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që t’i dënojnë sulmet që “ekzistojnë në sferën shoqërore” ndaj Miroslav Lajçakut.

    Escobar theksonte Lajçak gëzon besimin e plotë të ShBA-së dhe BE-së. Prandaj, sipas Escobarit, Lajçak, njeriu i shumë kritikuar nga Kosova, nuk do të largohet nga lehtësimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Pas kësaj, Escobar kërkoi nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që të jetë më pragmatike.

    “Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës.”, tha ai.

    “Nuk po them se vijnë [sulmet] nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha ai.

    Për një anshmëri Lajçak u kritikua edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

    Osmani në forumin e sigurisë “GLOBSEC” në Pragë Bashkimin Evropian (BE) se në procesin e integrimeve evropiane dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i njëanshëm ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës.

    Osmani akuzon BE-në për njëanshmëri: Kur nuk ke barazi, askush nuk mund të ëndërrojë për rezultate

    Emërimi i tij u prit me skepticizëm edhe nga drejtuesit e mëparshëm të shtetit. Kur u emërua si ndërmjetës, u prit me shumë skepticizëm nga pala kosovare, meqë ai vinte ndaj një vend që nuk e njeh Kosovën.

    Para se Lajçaku të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

    “Në një nga votat vendimtare që i është premtuar Kosovës në Interpol, në fund e ka mbyll telefonin dhe e ka votuar kundër Kosovës është Mirosllav Lajçak”, deklaronte Thaçi, duke u shprehur i zhgënjyer nga ana e BE-së për emërimin e mundshëm atë kohë të Lajçakut.

    “I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: ‘Miku im, kjo do të jetë një punë e mire për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë’”, shtoi ai. Në po të njëjtin muaj, kreu i shtetit të Kosovës, kishte deklaruar se BE-ja ka zero gjasa që ta bindë Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    “Nuk shihet as në horizont ndonjë shpresë që BE t’i bindë këto vende që ta njohin pavarësinë e Kosovës e lëre më për ta bindur Serbinë për ta njohur Kosovën, gjasat janë zero, nuk shoh as përpjekje është një rol dëshpërues nga Brukseli”, tha ai.

    Pak kohë më vonë, në maj të vitit 2020, Thaçi kishte thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Edhe dy ekspertët gjermanë të cilët janë edhe njohës të rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel dhe Bodo Weber, thanë atë kohë se do të jetë zgjedhje e tmerrshme, nëse kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, do të emërohet si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Një gjë të tillë dy anëtarët e “Democratiaztion Policy Council” e kishin thënë përmes një shkrimi të përbashkët në “EUobserver”, më 2020-ën.

    Sipas tyre nuk do të jetë e mirë që me procesin e negociatave Kosovë-Serbi të merren dy zyrtarë të lartë të BE’së qe vijnë nga shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Lajçak nga Sllovakia dhe Përfaqësuesi i Lartë të BE’së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, që vjen nga Spanja.

    Përveç kësaj, dyshja gjermane thoshin se Lajçak në bagazhin e tij politik në Ballkan ka vetëm dështime politike.

    “Së dyti, Lajçak bartë një bagazh serioz politik: një histori të dështimit politik në Ballkan”, thuhej në shkrimin e Vogel dhe Weber, duke i kujtuar Lajçakut dështimin politik përgjatë kohës sa kishte shërbyer në Bosnje e Hercegovinë dhe humbjen e luftës politike me Millorad Dodikun.

    Kosova dhe Serbia janë në fazën përfundimtare të dialogut gati njëdekadësh, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Në korrikun e nxehtë të 2020-ës, delegacioni i Kosovës dhe Serbisë po qëndronin ballëpërballë në tavolinë, të ftuar nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell. Palët u kthyen në tavolinën e negociatave gati 2 vite pas ndërprerjes së dialogut, por në mes të tyre nuk ishte edhe i emëruari i posaçëm, Lajçak. Ai bëri gabimin e parë, kur qëndroi në krah të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Çka arriti Lajçak për këto katër vjet?

    Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e arritën dy vite më parë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Lajçakut.

    Marrëveshja, kishte për synim që t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

    Megjithatë, ajo që ndodhi në terren gjatë vitit të kaluar, ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb.

    Njëzetë ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 – që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” – në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

    Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

    Çka përmban aneksi i Ohrit?

    Pas nënshkrimit të aneksit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, BE e publikoi përmbajtjen e këtij dokumenti, pikat e të cilit janë:

    Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

    Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Ndërmjetësi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

    Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

    Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.

    Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

    Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

    Renditja e paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon renditjen e zbatimit të tyre.

    Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

    Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.

    Çfarë ndodhi në veri?

    Nga të gjitha pikat e marrëveshjes, deri më tash, u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

    Në maj të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiqi miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, me të cilën palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

    Palët, i njohën targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i vitit që shkoi , qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me “sticker” kur lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas.

    Por, çështja e targave shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës, për shkak të insistimit të Qeverisë që makinat me targa serbe të riregjistrohen me targa të Kosovës.

    Si pasojë, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022. Por, në fund të vitit 2023, qytetarët i zëvendësuan targat, ashtu siç kërkoi Qeveria e Kosovës.

    Kalimi në targa të Kosovës ndodhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë – fshat në veri të Kosovës. Grupe të armatosura terroriste serbe sulmuan atje policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku. Në përleshjet mes Policisë dhe terroristëve, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e akuzoi Beogradin për këtë sulm. Përgjegjësinë e mori në Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, i cili ishte shpallur “non-grata” nga SHBA-ja.

    Një sulm tjetër terrorist ndodhi edhe më 29 nëntor 2024, ku u sulmua kanali kryesor i Ibër-Lepencit, një sulm mbi asestet vitale të shtetit.

    Edhe për këtë sulm Kosova, akuzoi Serbinë.

    Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh që atëherë, por jo të gjitha janë zbatuar. /Reporteri.net/. 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!