×
  • Lajme
  • Lajme / Paralajmërimi

    “Mish, raki e tre gishta”, gazetarja paralajmëron skandalin e një ministri të Qeverisë Kurti

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 17:36

    Gazeta online Reporteri.net sonte do të publikojë një skandal të një ministri të Qeverisë në detyrë Kurti II.

    Paralajmërimin për këtë e ka dhënë gazetarja Leonora Kolukaj.

    “Mish, raki e simboli (nacionalist) me tre gishta! Një ministër i Republikës sonë, po i shijojke nejat. Ama me pastaj, po e kapke siklet e nuk po dike me dhanë përgjigje. Storjen pak ma vone ne Reporteri Videos”, ka shkruar gazetarja në Facebook.

    Videoja do të publikohet në ora 19:00 në kanalin e gazetës online Reporteri në YouTube, e më pas edhe në faqen Reporteri Videos në Facebook.

    Lajmi në Zhvillim
    Ministri i Kurtit feston duke i ngritur tre gishtat, dalin fotografitë nga ndeja
    11 Qershor, 2025 - 19:11

    Një ndejë private në Shtërpcë, javën që shkoi, ku i pranishëm ishte edhe Nenad Rashiq, u manifestua me ngritjen e tre gishtave gjatë pozimit për fotografi. Veprimin me simbolin “problematik” serb e bëri edhe vetë Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë në detyrë Kurti II.

    Fotografinë e Ministrit në detyrë, Nanad Rashiq, ku ai shihet bashkë me një person tjetër duke i ngritur tre gishtat e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

    Fotoja në fjalë ishte publikuar në rrjetet sociale, por më pas “u zhduk”.

    Bazuar në fotografitë tjera të publikuara në Facebook, festa me mish e raki ku u shkrep edhe kjo me Rashiqin me tre gishtat lart, u zhvillua më 5 qershor 2025, në një ndejë në një restorant në Shtërpcë.

    Ministri serb i Qeverisë në detyrë Kurti të enjten është ballafaquar në oborrin e Kuvendit të Kosovës me fotografinë e tij, nga gazetarja e gazetës online Reporteri.net, Leonora Kolukaj.

    “A mundeni me na tregu se cili është kuptimi i tre gishtave në këtë fotografi”, u pyet ministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, derisa iu shfaq fotografia në telefon.

    “I fesë”, u përgjigj Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.

    “Pse është fshi pra prej Facebook-u kjo fotografi?”, e pyet më tej gazetarja.

    “Po konsideroj se keni shumë pyetje më të mira se kjo… Konsideroj se pyetje…”, tha Rashiq duke ndërprerë në gjysmë fjalinë e tij, derisa po hiqte xhaketën dhe po largohej në drejtim të veturës së tij dhe po ndiqej nga gazetarja.

    “Kallxoma veç kuptimin”, insiston gazetarja e Reporteri.net.

    “Feja. Tre gishta është feja. Kaloni mirë”, përfundon bisedën ministri në detyrë, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, derisa futet në veturën e tij për tu larguar nga oborri i Kuvendit, pas përfundimit të tentativës së 30 për konstituimin e legjislatures së re.

    Simboli i tre gishtave të ngritur – zakonisht gishti tregues, gishti i mesëm dhe gishti i madh – është një gjest i njohur në kulturën serbe dhe ka kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme, si historike, fetare dhe politike.

    Ndonëse në gjenezë ka qenë gjest që lidhet me besimin ortodoks dhe simbolizonte “Trininë e Shenjtë” (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë), gjatë viteve ’90, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, kuptimi i këtij simboli ndërroi rrënjësisht dhe mori konotacion të rrezikshëm nacionalist, politik e shovinist.

    Simboli i tre gishtave u përdor gjatë fushatave nacionaliste serbe, veçanërisht nga forcat ushtarake dhe paramilitare gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje, duke u shndërruar në simbol të nacionalizmit serb dhe shpesh u perceptua si provokim nga shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe të tjerë që vuajtën nga agresioni serb në rajon.

    Në këtë kontekst, “tre gishtat lart” nuk ishin më simbol i besimit, por shprehje krenarie etnike apo dominimi, madje edhe urrejtjeje ose përçmimi ndaj popujve të tjerë në Ballkan.

    Për më tepër edhe politikanë serbë, si krimineli serb i dënuar nga Haga, Vojislav Sheshel jo rrallë herë e përdornin këtë simbol si formë nxitje të tensioneve dhe propagandës, duke i ngritur lart tre gishtat publikisht në mitingje, fjalime dhe para kamerave, shpesh gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe gjatë luftës në Kosovë.

    Ky simbol edhe sot shpesh shihet në stadiume, protesta, ose manifestime nacionaliste serbe. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!