×
  • Lajme
  • Lajme

    Mjeku që dyshohet se paralizoi pacienten në operacion emërohet drejtor i Spitalit të Gjakovës

    Reporteri
    10 Dhjetor 2021 | 21:33

    Autor: Bledë Krasniqi


    Hilmi Shala, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “Iza Grezda” në Gjakovë është shkarkuar sot nga kjo detyrë. Ai është kthyer në pozitën paraprake si Shef i Barantores së Spitalit. Në vend të tij, ushtrues detyre është emëruar urologu Ardian Jusufi.

    Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, vendimi hyn në fuqi sot, pasi edhe është nënshkruar nga drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

    Por urogolu Jusufi ka një të kaluar “problematike”.

    Në vitin 2016, ai së bashku me Nexhat Rexhën, të dy mjekë të spitalit privat “MIM Hospital” në Gjakovë, ishin akuzuar se kanë lënë të paralizuar një paciente 65 vjeçare.

    Gjithmonë sipas deklarimeve të familjarëve, 65 vjeçarja ishte operuar nga Rexha dhe Jusufi pa lejen e tyre dhe se që nga dita e operimit ajo nuk kishte mundur të ngritej në këmbë për asnjë çast, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Siç raportonin mediat aso kohe, Jusufi dhe Rexha, përgjegjës për paralizimin e 65 vjeçares, kishin tentuar t’i iknin përgjegjësisë, duke u larguar nga Kosova, pikërisht në ditën kur Inspektorati Shëndetësor kishte bërë inspektimin e “MIM Hospital”.

    Urologu Jusufi, mjek në Spitalin e Gjakovës, madje kishte dërguar pacientë edhe në spitalin privat ku punonte.

    Sipas djalit të 65-vjeçares, nëna e tij ishte vizituar nga Jusufi në Spitalin e Gjakovës, i cili u kishte kërkuar familjarëve që të bëjnë një grafi. Pas kryerjes së grafisë, Jusufi e ka drejtuar pacienten në spitalin privat “MIM Hospital” për ta shikuar atë me një kamerë në veshkë, pasi sipas tij, në grafitin e bërë, nuk vërehet asgjë.

    Lidhur me këtë, pas një kohe, Jusufi ishte dënuar me gjobë prej 2 mijë eurosh nga Inspektorati policor, pasi kishte referuar pacientë në Spitalin privat “MIM Hospital” në Gjakovë.

    Reporteri.net ka tentuar që të bisedojë edhe me tashmë të shkarkuarin Hilmi Shala, por që i njëjti nuk e ka hapur telefonin deri në publikimin e artikullit ./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!