×
  • Lajme
  • Lajme

    Mjeku shqiptar rrëfen se sa me vështirësi i mbijetoi coronavirusit

    Reporteri
    14 Nëntor 2020 | 22:57

    Janë mjekët dhe infermierët ata që po luftojnë tash e sa muaj me vijën e parë të frontit për të shpëtuar jetën e pacientëve të tyre të infektuar me virusin COVID-19.


    Njëri ndër ta është edhe internisti, Ylber Islami, nga Lugina e Preshevës i cili punën e tij si mjek në Preshevë e ushtron tash e 30 vite.

    Por këta muaj në repartin e Emergjencës të Preshevës kanë qenë të pazakontë, pasi që numri i pacientëve të infektuar me coronavirus vetëm po shtohet dita-ditës.

    “Në fillim e kemi marrë si virus i cili mundet me shkaktu një gjendje ma serioze se virusët tjerë të influencës së gripit, por nuk kemi besu që një virus i tillë mundet me shkaktu kalje aq të rëndë në mushkëri, që e çrregullon edhe shkëmbimin e gazeve, vjen deri tek mosngirja e organizmit me oksigjen.”, ka thënë dr.Islami për emisionin “Rrëfim Suksesi”.

    Derisa numri i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë po rritet çdo ditë, në mesin e të prekurve janë edhe shumë profesionistë shëndetësorë.

    Dr.Islami është një nga mjekët e shumtë i cili gjatë punës së tij në repartin e emergjencës u infektua me virusin COVID-19.

    “Gjatë punës time me pacientë edhe vet u infektova. Mandej e pata edhe mundem të them, formën ma të rëndë ptë këtij virusi, të pneumonisë që mu shkaktua prej këtij virusi, edhe atë në kohën kur nuk e isha mendur që do të ketë virus, në atë kohën kur është mesi i verës. Unë jam infektuar kah fillimi i korrikut korrik.”

    Sot dr.Ylberi rrëfen vështirësitë që i ka kaluar për rreth dy muaj si i infektuar me virusin COVID-19.

    “Unë ditët e para kam pasur temperaturë. Pata temperaturë dhe mendova se jam ftohë, mirëpo për shkak të dyshimit se mund të jetë virus, shkova dhe i bëra analizat me Eliza test dhe më doli negativ, mirëpo aty kam gabu kur i kam besu se ai nuk është i sigurtë dhe kam mendu që vetëm jam ftohë pasi që doli negativ. Aty kom gabu edhe në zhvillimin e hovit të virusit. Mandej ka qëllu e shtunë dhe e diel dhe unë nuk kam marrë terapi duke mendu se jam negativ, kur të hënën ka fillu prap me gjendje të rëndë me temperaturë e ethe, kam shkuar në spitalin e Gjilanit me u konsultu me një infektolog se çka të marr terapi më tepër, por ai më propozoi që të shtrihem menjëherë në spital, sepse në rentgen kisha infeksion pneumoni në dy anët e mushkrive.”, rrëfen ai për emisionin “Rrëfim Suksesi”.

    Ai gjithmonë ka zhvilluar një jetë të shëndetshme duke i kushtuar rëndësi ushqimit dhe aktiviteteve fizike, por kjo nuk ka ndikuar që ai të mos sulmohet nga ky virus.

    “E çuditshme se deri sa jam infektu me virus unë nuk kam marrë asnjë terapi. nuk konsumoj alkool as duhan, kam bërë jetë të shëndetëshme, duke bërë ecje në natyrë, konsumim bio të ushqimeve, mirëpo virusi aq fort u zhvillu sa që më dërgoi në gjendje të trajtohem me oksigjenoterapi për të mbetë gjallë.”, tregon dr.Islami.

    Pas rehabilimiti dr.Ylberi u rikthye prap në vendin e tij të punës për të ofruar ndihmën për pacientët e tij

    “Nuk besova se do të kthehem e të punoj as si mjek, lëre më në Emergjence, mirëpo duke falënderu Zotin që është një mrekulli e Zotit tek unë, për dy muaj sa zgjati rehabilitimi im jam kthyer në vendin e vjetër të punës.”, ka thënë ai.

    Ai është përballë rëndë me këtë virus dhe këshillon qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos neglizhohet ky virus.

    “Të rinjt nuk e mbajnë maskën. shkojnë në kafiqe atje infektohen e kalojnë shumë lehtë se është i atillë virusi që tek të rinjt kalon lehtë, por ata e marrin virusin dhe e cojnë tek familjarët e vetë.”, ka thënë dr.Islami.

    Aktualisht janë mbi 50 pacientë të Preshevës të shtrirë në spitalin e Vranjës, të cilët janë infektuar me ndezje të mushkrive në të dy anët dhe pozitiv me SARS CoV-2.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!