Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht për arrestimin e deputetit të PSD-së Dardan Molliqaj.
Në njoftim, Policia bën të ditur se ka realizuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
PK, bënë të ditur, se deputeti i PSD-së është dërguar para një prokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, shkruan Reporteri.net.
“Sot, konform detyrimit ligjor, policia ka realizuar një urdhër arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm. Urdhër – arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet, për policinë, që i pandehuri D.M, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë Themelore”, njofton Policia.
“Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës”, theksohet në kumtesë.
Për njoftimin e Dardan Molliqajt ka njoftuar pak më herët edhe partia e tij, PSD.
Sipas njoftimit të PSD-së, ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë.
“Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj. Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë. Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Kurti, më 12 tetor 2015 ishte arrestuar në Prishtinë, pas disa kohe qëndrimi në arrati, pasi kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.
Në protestën për të cilën është arrestuar Molliqaj, në tetor të vitit 2015, pas arrestimit të Albin Kurtit, një grup mbështetësish të tij, përfshirë edhe Dardan Molliqajn kishin mësyrë stacionin e Policisë në qendër të Prishtinës, duke e gjuajtur me gurë dhe duke thyer xhamat dhe dëmtuar muret e këtij objekti. Protestuesit kishin përdorur edhe koktej molotovi në drejtim të pjesëtareve të policisë.
Trazirat në kryeqytet, që kishin zgjatur rreth 4 orë, ishin bërë edhe lajm në në mediat ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net. Fokus kësaj ngjarje i kishte dhënë edhe BBC.